Kosova

Shihemi në malet e Kosovës!

Ski touring apo shëtitja me ski – që dallon nga skijimi – është një nga përvojat më të veçanta të aktiviteteve në natyrë që zhvillohen në Kosovë gjatë stinës së dimrit.

Qindra metra ngjitje nëpër malet e mbuluara nga dëbora me një palë ski të mbështjella me lëkurë. Pikësynimi është të mbërrish majën më të lartë të malit, për të përjetuar bukuritë e natyrës së paprekur dhe për t’u lëshuar skijim teposhtë.

 

Edis Krusha

Edis Krusha e nisi këtë aktivitet si biznes i frymëzuar nga bukuritë e Maleve të Sharrit. Duke parë se dita-ditës infrastruktura në këto male, e sidomos në Brezovicën e njohur si qendër skijimi, po dëmtohej, ai bashkë me një grup entuziastësh të natyrës vendosën të sjellin një aktivitet ndryshe, në eksplorim të përgjegjshëm të territoreve të paprekura.

Pasi ndoqi një trajnim në Francë për snow-shoeing dhe teknikat e shpëtimit në mal, Edisi filloi me organizimin e grupeve për snow-shoeing, apo ecje nëpër dëborë. Ky aktivitet është i përshtatshëm për personat që nuk skijojnë, por edhe i këndëshëm për ta, pasi mund ta shijojnë natyrën në shoqërinë e grupit. Gjithçka nisi me 15 palë këpucë të posaçme për snow-shoeing. Të parët që u bënë pjesë e aktivitetit ishin shoqëria e tij, të gjithë entuziastë të natyrës dhe me kalimin e kohës, edhe plot të tjerë u bashkuan me ta.

Tani, Edis Krusha ka biznesin e tij, E-19, një operator turistik i njohur për shëtitje të tipit ski-touring. “Nëse ju tregoj pajisjet e para qe kemi përdorur, sigurisht që dikush nga vende me turizëm malor më të zhvilluar do të qeshte”, thotë Edisi me humor. Në fillim, ata kanë përdorur lëkura skijimi të qepura me nga dy-tre pjese, lidhëse ushatrake të viteve 1970 dhe këpucë alpine të rënda. “Madje nuk kishim as pajisjet e duhura për kërkim-shpëtim në rast se hasnim me “armikun” më të madh të natyrës së paprekur – ortekun” tregon ai.

E megjithatë, kur ekziston pasioni i fuqishëm për natyrën, gjendet edhe mundësia. Pjesëtarët e grupeve, kryesisht klientelë ndërkombëtare, vinin me pajisjet e tyre personale. “Por viteve të fundit ka interesim të madh edhe nga vendorët” tregon Edisi. Duke parë interesimin gjithnjë e në rritje për ski-touring, ai investoi edhe në pajisje për grupe të organizuara nën udhëheqjen e guidave.

Ski Touring Kosova

Me përkrahjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE), Edisi ka kompletuar të gjitha pajisjet e nevojshme për ski-touring për një grup prej 6 vetësh. Këto janë pajisje moderne dhe cilësore, që përfshijnë edhe detektorët e orteqeve, kaci dhe sonda. “Gjithçka është gati për borën e parë të vitit 2020”.

Si pothuajse të gjithë operatorët turistikë, edhe Edisi këtë vit po përballet me vështirësitë e shkaktuara nga pandemia e COVID-19 dhe me pasigurinë se si do të zhvillohet situata. “Por ne nuk ndalemi së punuari. Po eksplorojmë terrene të reja, kapacitetet tona turistike dhe si ta reklamojmë më mirë këtë aktivitet. I kemi hyrë kësaj rrugë për jetëgjatësi” thotë ai.

 

Një përvojë me ski-touring

Aktivitetet kryesisht zhvillohen në Malet e Sharrit për shkak të përbërjes së borës dhe shpatijeve tërheqëse. Sidomos pjesa veriore ofron shtigje të mrekullueshme për ski-touring.

Pika e takimit është vendi ku grupi ka fjetur një natë para aktivitetit. Zakonisht, vendet për fjetje janë pranë pikënisjeve më të afërta, për të shmangur rrugët e gjata dhe për të shfrytëzuar orët e pakta me dritë natyrale.

Dita nis me koordinimin e aktiviteteve. Bëhet kontrolli a i kanë pajisjet për kërkim-shpëtim dhe pajisjet e tjera. Po ashtu, asnjëherë nuk harrojnë të kontrollojnë motin dhe mundësinë e orteqeve.

Pikënisja e grupit varet nga konfiguracioni i terrenit. Lartësitë e ngjitjes janë të ndryshme, nga 1,200 deri në 1,700 metra, varësisht motit, kohës në dispozicion, por edhe përgatitjes fizike të grupit. Shëtitja ski-touring është dhe një përvojë e bukur sociale: grupi përfshihet në biseda të bukura, ka ndalesa të herëpashershme për të pushuar, për të kënaqur sytë me natyrën dhe për të ngrënë ushqimin që kanë me vete.

Më pas, vjen shpërblimi. Pasi janë ngjitur në pikën e synuar, grupit lëshohet skijim për t’u kthyer! Në kthim, i pret darka me ushqim tradicional, biseda dhe shumë miqësi të reja.

Ski Touring Kosova
Ski Touring Kosova