Kosova
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike Kosovë- Izrael, akt historik
Të hënën Kosova dhe Izraeli do të formalizojnë marrëdhëniet diplomatike, transmeton albinfo.ch.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj. Haradinaj ka thënë se Kosova po hyn në një etapë të re historike me shtetin e Izraelit.
“Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm! Ditën e hënë, më 1 shkurt, me një ceremoni solemne virtuale do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Izraelit”, ka shkruar ministrja e Jashtme e Kosovës në Facebook.
Nga ana tjetër, këtë e ka komentuar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili është shprehur se Kosova dhe Izraeli po hapin një kapitull të ri të marrëdhënieve bilaterale. “Republika e Kosovës prej të hënës formalizon marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, duke hapur kështu një kapitull të ri të marrëdhënieve bilaterale dhe duke përjetësuar miqësinë midis qytetarëve të të dyja vendeve”, ka shkruar ai.
Vendosjen e raporteve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit e kanë komentuar edhe ekspertët. Ata e kanë mirëpritur këtë, duke e vlerësuar se është një lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën. Sipas tyre, kjo do t`i hapë rrugë Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe këtë duhet të shfrytëzojnë diplomacitë shqiptare.
Bytyçi: “Një akt me përmasa historike”
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, është shprehur se është me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse njohja e Kosovës nga ana e qeverise se Tel Avivit vjen në një moment udhëkryqi për ne.
“Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, njoftoi se ditën e hënë, me datën 1 shkurt 2021 përmes një lidhjeje online do të komunikohet lidhja e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Republikës se Kosovës. Ishte një lajm fantastik! Sidomos në kushtet kur jo pak njerëz po mendonin se kjo nuk do te realizohej. Është dhe mbetet një lajm me rendësi të jashtëzakonshme, sepse njohja e Kosovës nga ana e qeverise se Tel Avivit vjen në një moment udhëkryqi për ne”, ka thënë ai.
Po ashtu profesori ka përmendur se çfarë ka ndodhur viteve të fundit, ku përfol për shkëmbim të territoreve.
“Kanë ndodhur shumë dështime në këto 5-6 vjet në veprimtarinë diplomatike të Kosovës e për Kosovën. Kanë ndodhur gjithashtu shume provokime ndaj saj. Ne ishim dëshmitarë sesi u përpoqën presidenti i Serbisë, ai i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë për këmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës. Përveç përkrahjes së iniciativave të tjera të Serbisë në rajon, me qëllim demonizimin e saj. Jemi dëshmitarë se si Edi Rama e rehabilitoi fuqishëm Serbinë në këto 6-7 vjet për ta shfajësuar nga krimet që ajo i ka bërë në Kosovë.
Të njëjtën gjë bëri dhe Hashim Thaçi me ndërmjetësimin e Edit. Kjo rrethane që ia krijuam vetë në Serbisë e bëri atë agresive në dialogun me Kosovën. U bllokuan për shumë vite njohjet. Madje u mësuam me lajme për çnjohjen e shtetësisë së saj, një nocion i ri ky në marrëdhëniet ndërkombëtare i ardhur si fantazi e diplomacisë serbe!”, ka shpjeguar Bytyçi.
Po ashtu, ai ka treguar se çfarë e ka bllokuar procesin e njohjeve nga shtet të cilat nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Ishim në udhëkryq, sepse diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës krijuan përshtypjen se shteti i Kosovës do të jetë i përkohshëm, mbasi sipas Ramës e Thaçit, do të ndodhte bashkimi i tij me Shqipërinë. Thirrjet për president të përbashkët nuk ishin të paqëllimshme. As presionet e Thaçit ndaj evropianeve për bashkim nuk qenë kot. Kjo e bllokoi njohjen e shtetësisë se Kosovës“.
Bytyçi vlerëson se njohja nga Izraeli është një akt me përmasa historike.
“Në këto rrethana vjen njohja nga Izraeli. Është e vetmja pikë e marrëveshjes së 4 shtatorit të vitit të kaluar shumë e dobishme për shtetin e Kosovës. E them me bindje se është një akt me përmasa historike. Kjo sepse njohja e Izraelit legalizon përkrahjen e lobit izraelit në SHBA e kudo në botë e për pasoje edhe forcimin e shtetësisë dhe përmbylljen e këtij procesi. Është me rendësi të themi se Serbia humbet terren në një nga fushë-betejat e saj për pengimin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova do të ketë mundësi që të eksperiencën e Izraelit në fushën e ndërtimit dhe funksionimit të qeverisjes e të institucioneve, në fushën e ekonomisë, sidomos të bujqësisë.
“Ne e dimë se para disa vitesh ministri izraelit i Punëve të Jashtme gjatë një vizite në Beograd u shpreh në përkrahje të politikave serbe për Kosovën. Gjërat ndryshuan për mirë. Kjo është fantastike dhe shumë shpresëdhënëse. Ndërkaq me njohjen do të pasojë vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe shkëmbimit të ambasadoreve dhe ambasadave në të dy vendet. Kosova do të ketë mundësi që të përfitojë eksperiencën e Izraelit në fushën e ndërtimit dhe funksionimit të qeverisjes e të institucioneve, në fushën e ekonomisë, sidomos të bujqësisë.
Por edhe për të tërhequr investues të fuqishëm në vend. Do të rriten mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit e njëkohësisht do të nxiten vendet perëndimore, sidomos ato anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që të bëjnë këtë. Njohja nga Izraeli rrëzon tezen e precedentit që krijonte pavarësia e Kosovës, sepse edhe Izraeli ka të njëjtat problem si edhe Spanja, Qipro, Rumania apo Sllovakia. Greqia është rast tjetër. Prandaj me duhet të besoj se kjo njohje vjen në një kohë të vështirë si rreze drite për Kosovën.
Ndërkaq u shpërnda edhe mjegulla, sipas së cilës, “tani që nuk fitoi Trump në SHBA mundet që qeveria e Tel Avivit të tërhiqet nga marrëveshja. Nuk ndodhi kjo. Mesa duket presidenti i ri amerikan, Biden, do ta shfrytëzojë marrëveshjen e 4 shtatorit të kaluar për të ecur përpara agjendën për Kosovën. Dhe kjo pritej më shumë nga Biden, sesa vetë Trump”, ka deklaruar ai.
Në fund, Bytyçi thekson se diplomacia shqiptare në të dy anët e kufirit duhet ta shfrytëzojë momentin për të sjelle njohje të tjera të rëndësishme e madje pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë.
“Në këto kushte nuk mjafton të gëzohemi dhe duartrokasim. Diplomacia shqiptare në të dy anët e kufirit duhet ta shfrytëzojë momentin për të sjelle njohje të tjera të rëndësishme e madje pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtarë. Të gjitha bateritë duhen përqendruar të mundësia e njohjes nga ana e Vatikanit. Drejtuesit e Komunitetit Katolik në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të rrinë sa më shumë në Vatikan. Po kështu shefat e diplomacisë së dy vendeve tona.
Kryeministrat, presidentet njëkohësisht. Duhen kontaktuar miqtë e shqiptarëve në SHBA e në Europë, me qëllim që të ndërhyjnë dhe lobojnë në Vatikan për njohjen e Kosovës. Nëse do të ndodhë njohja e Vatikanit është kryer më shumë se gjysma e punës me Serbinë dhe nuk do të mund të promovohet me ideja e diskutimit për statusin e Kosovës nga ana e Serbisë dhe Rusisë!”, ka përfunduar Bytyçi.
Jashari: “Një sinjal se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë do të jetësohet“
Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, në një prononcim ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, është lajm i mirë për shtetin e Kosovës.
“Paralajmërimi i ministres se jashtme Meliza Haradinaj për formalizmin e njohjes se shtetit të Izraelit duke nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, është lajm i mirë për shtetin e Kosovës dhe një sinjal se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë do të jetësohet”, ka thënë ai.
Po ashtu, Jashari është shprehur se kjo do t`i hapë rrugë Kosovës në arenën ndërkombëtare duke lehtësuar qasjen me shtete ende nuk ka marrëdhënie diplomatike më Kosovën.
“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, do ti shërbej Kosovës për të hapur rrugë në arenën ndërkombëtare duke lehtësuar, qasjen, kontaktet dhe komunikimin me shtete të ndryshme sidomos me ato shtete që Kosova ende nuk ka marrëdhënie diplomatike për marrjen e mbështetjes për tema të ndryshme”, ka deklaruar Jashari.
Gjithashtu, ai ka treguar sfidën më të cilën mund të përballët Kosova në këtë raport.
“Një sfidë do të mbetet për Kosovën vendosja e ambasadës në Jerusalem, pasi sikurse bota arabe, ashtu edhe shtetet e tjera perëndimore janë kundër vendosjes së ambasadave në Jerusalem, pasi është problem shumëvjeçarë politik mes Izraelit dhe Palestinës me pretendimet se kujt i takon ai vend”, ka potencuar Jashari.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Dasma e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut shfaqet në Grac dhe në Vjenë Dasma e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut do të shfaqet fillimisht me datën 29 nëntor në Grac,...
-
Vritet një shqiptar në Itali dhe plagoset vëllai i tij
-
Londër: Shqiptari është gjetur pa shenja jete
-
Osmani në Kanada takoi shqiptarë që janë rrëfime suksesi
-
Arianit Besiri fiton zgjedhjet, nga marsi – kryetar bashkie në Gjermani
Jeta në Zvicër
-
Cilat kantone janë më të ashpra në dëbimin e të huajve nga Zvicra? Gjeneva dëbon numrin më të madh të huajve më 77 përqind (veçmas ata që kanë...
-
Bazeli, me atmosferën më festive në Zvicër
-
Gati 17,000 mjekë të huaj po punojnë në Zvicër
-
SHKA „Dardania“ nga Winterthur kremton dy festa, 28 Nëntorin dhe 30-vjetorin e themelimit
-
Riciklimi i veshjeve, Zvicra është gati të hapë qendrën e parë industriale