Lajme

Vala e dytë bëri që spitalet zvicerane të shtyjnë 19.000 operacione

Gjendja me shtretërit e kujdesit intensiv nuk ka gjasa të normalizohet deri më 10 shkurt, ka nënvizuar task forca shkencore federale

Ndërhyrjet e planifikuara mjekësore te rreth 19,000 pacientë janë shtyrë në të gjithë vendin që nga nëntori. Arsyeja për këtë shtyrje është vala e dytë e pandemisë Covid-19.

Situata e shkaktuar nga kjo valë i ka çuar njësitë e kujdesit intensiv në kufi të kapaciteteve të tyre, shkruan srf.ch.

Gjendja me shtretërit e kujdesit intensiv nuk ka gjasa të normalizohet deri më 10 shkurt, ka nënvizuar task forca shkencore federale në një raport të saj, transmeton albinfo.ch.

Zakonisht në gjithë Zvicrën po qëndrojnë rreth 600 pacientë në njësitë e kujdesit intensiv. Por kjo mesatare kishte kaluar pragun absolut prej 865 të shtruarish, në nëntor.

Në këtë mënyrë numri në fjalë kishte tejkaluar numrin e shtretërve të kujdesit intensiv të çertifikuar në Zvicër me cilësi të garantuar të kujdesit.

Për të përballuar pandeminë, spitalet ishin detyruar të ofronin edhe shtretër shtesë, të paçertifikuar, përcjell albinfo.ch.

Sipas task forcës, Zvicra aktualisht ka rreth 1,400 shtretër operativë.