Kosova

BE-ja ndihmon Kosovën me mbi 24 milionë euro

Bashkimi Evropian e ka proceduar pagesënprej 24.05 milionë eurosh për të ndihmuar Kosovën në zbutjen e ndikimit të pandemisë së COVID-19, pastaj për të mbështetur modernizimin e administratës publike dhe për të forcuar menaxhimin e financave publike, përcjell albinfo.ch.

Në një komunikatë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, thuhet BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës me fonde shumë të nevojshme për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të krizës së COVID-19 mbi popullsinë dhe bizneset e Kosovës.

Duhet theksuar se komunikata citon Komisionarin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, të ketë thënë se “përmes këtyre pagesave të mbështetjes buxhetore, ne ndihmojmë Kosovën për t’u dalë mbanë vështirësive financiare me të cilat përballen në këtë situatë të vështirë”.

Këto mjete janë pjesë e mbështetjes nga BE-ja për përparimet që shënojnë qeveritë në zbatimin e strategjive të veta dhe në arritjen e synimeve, shkruan REL.

Pagesat e mëparshme të BE-së lidhur me administratën publike dhe reformat e menaxhimit të financave publike në shumën prej 11.5 milionë euro dhe 9.97 milionë euro u disbursuan në dhjetor të vitit 2019 dhe korrik 2020.

Ekonomia e Kosovës është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Të martën, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se ekonomia e Kosovës pritet të ketë një rënie ekonomike prej 7.2 për qind, që paraqet goditjen më të rëndë që ka pësuar në 20 vjetët e fundit.

Masat kundër përhapjes së koronavirusit, siç janë mbyllja e bizneseve dhe kufizimet e tjera, kanë ndikuar në masë të madhe në ekonominë e Kosovës duke krijuar humbje deri më tani në 1 miliard euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe shoqatave ekonomike.