Kosova

Shqetësuese, rritja e sulmeve ndaj bankave dhe policëve në Kosovë

Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar lidhur me sulmin e armatosur të kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ndaj filialit të një banke komerciale në Prishtinë, ku si pasojë është plagosur një zyrtar policor.

“Sektori bankar ka ndjekur me shqetësim rritjen e numrit të sulmeve ndaj bankave me përdorim të armatimit dhe lëndëve shpërthyese gjatë vitit 2020. Shoqata e Bankave të Kosovës ka reaguar disa herë gjatë vitit, duke ngritur alarmin që sulmet dhe tentim-grabitjet janë duke u bërë çdo herë e më të dhunshme duke rrezikuar jetën dhe pronën. Në lidhje me këtë dukuri negative janë mbajtur edhe takime të shumta me Policinë e Kosovës, ku është theksuar se duhet të ketë hetime intensive për zbardhjen e rasteve të ndodhura më herët, pasi që nëse nuk zbulohen rastet e mëhershme, atëherë numri i sulmeve mund të vazhdojë të rritet në të ardhmen, duke rrezikuar edhe jetën e njerëzve”, thuhet në reagimin e SHBK-së.

Shoqata e Bankave të Kosovës shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e sektorit bankar për punën që po bën Policia e Kosovës për të rritur sigurinë në vend, duke uruar që zyrtari policor të shërohet sa më shpejt.

Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mbështesë Policinë e Kosovës me resurset e nevojshme, në mënyrë që ata të mund të kryejnë detyrat e tyre me sukses dhe siguri të lartë.

Nga ana tjetër, edhe sulmi ndaj policëve është rritur në Kosovë. Shumë raste lëndimi janë raportuar vetëm në javën e fundit, ku shumë policë kanë marrë ndihmë nga organet shëndetësore.