Kosova

Dyvjetori i themelimit të Ushtrisë së Kosovës, Hoti: Synimi ynë është NATO

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar qytetarët në dyvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ndërsa tha se FSK-ja në NATO është synimi i Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook e ka quajtur ditë historike 14 dhjetorin, duke shtuar se angazhimi dhe përkushtimi i djemve dhe vajzave në FSK është për çdo lëvdatë.

“FSK-ja në NATO, është synimi ynë. Me profesionalizimin e tyre vajzat dhe djemtë e Kosovës do të japin kontribut të çmuar për paqe në rajon dhe në botë”, ka shkruar Hoti.

 

Postimi i plotë:

Kosovë, Urime 14 Dhjetori – Dita e Ushtrisë!

Dy vjet më parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi tri Ligje, të cilat bën të mundur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Në këtë ditë historike uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa pjesëtarët e FSK-së i përgëzoj për të arriturat e vazhdueshme.

Angazhimi dhe përkushtimi i djemve dhe vajzave tona në FSK është për çdo lëvdatë, ndërsa ndihma e miqve tanë në ngritjen e kapaciteteve të tyre ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme, për çka u jemi falënderues përherë.

FSK-ja në NATO është synimi ynë. Me profesionalizimin e tyre vajzat dhe djemtë e Kosovës do të japin kontribut të çmuar për paqe në rajon dhe në botë.