Kosova

A do ketë masa të reja gjatë festave të fundvitit në Kosovë?

Infektologu, njëherësh edhe U.D. i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka folur rreth planeve kundër përhapjes së Covid-19 gjatë festave të fundvitit, transmeton albinfo.ch.

Ai thotë se gjithçka varet nga situata epidemiologjike.

“Ne jemi duke e përcjellë me vëmendje të madhe situatën me Covid-19 dhe jo vetëm numrin e rasteve të reja të infektuara. Jemi duke i përcjellë edhe kapacitetet tona spitalore. Jemi duke e përcjellë edhe mënyrën e respektimit të këtyre masave nga ana e qytetarëve, nga ana e institucioneve, nga ana e bizneseve dhe të gjitha segmentet e jetës”, thotë Krasniqi.

“Në takimet tona të rregullta konsultative që i kemi, ne i analizojmë të gjithë këta indikatorë dhe mbi bazën e tyre pastaj propozohet qeverisë marrja e masave të caktuara”, shtoi ai në RTV Dukagjini, përcjell albinfo.ch.

“Edhe këtë javë nuk ka ndryshim të masave, pra vazhdohet me masat që kanë qenë në fuqi. Duket se kanë dhënë rezultat. Nga dje kemi disa komuna që nga ngjyra e kuqe kanë kaluar në ngjyrën e verdhë dhe kjo është një shenj e mirë, një tregues i mirë që mund të vazhdohet me masa të tilla”, tha Krasniqi.

“Ne si Kosovë tani për tani jemi ndër vendet më liberale sa i përket këtyre masave. Kemi një jetë më normale se shtetet e tjera”, thotë ai.