Lajme

Fushatës ‘Festo n’shtëpi’ i bashkohet edhe ambasadori gjerman në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka nisur një fushatë sensibilizuese “Festo n’shtëpi”, kundër koronavirusit.

E kësaj nisme i është bashkuar Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, John Rohde. Në mesazhin e tij sensibilizues Rohde ka kërkuar nga qytetarët që të mos bëjnë vizita gjatë pandemisë, përcjell Gazeta Insajderi.

“Të mos i vizitosh miqtë dhe familjarët gjatë kohës së pandemisë, do të thotë t’ua bësh atyre nder. Do të thotë që ju po i mbroni ata nga virusi. Në këtë mënyrë ju kontribuoni në parandalimin e stresit shtesë ndaj sistemit shëndetësor në Kosovë, edhe ashtu të mbinargkuar”, ka thënë ambasadori gjerman.

Rohde ka thënë se duhet të heqim dorë nga vizitat te miqtë dhe të afërmit, duke i zbritur shifrat e larta të rasteve me Covid-19.

“Sot, po i bashkohem Ministrisë së Shëndetësisë në fushatën e saj, për të kërkuar mbështetjen Tuaj në respektimin e masave të Covid-19. Mbroni veten dhe të tjerët që mund të jenë më të ndjeshëm! Mbroni veten dhe të tjerët, rrini në shtëpi! Hiqni dorë nga vizitat te miqtë dhe të afërmit. Le ta vendosim Kosovën në rrugën e rimëkëmbjes duke i zbritur shifrat. Ruani shëndetin gjatë periudhës së festave!”, ka thënë Rohde.