Lajme

Zemaj takohet me ministrin austriak, kërkon ndihmë për sigurimin e vaksinës

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, bashkë me mikrobiologun Lul Raka dhe ambasadorin e Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, janë pritur në takim nga ministri federal i Shëndetësisë i Austrisë, Rudolf Anschober, me të cilin kanë diskutuar për çështjen e pandemisë dhe menaxhimit të saj.

 

Zemaj, me këtë rast, ka thënë se i ka kërkuar ndihmë Austrisë për sigurimin e vaksinës anti-COVID për qytetarët e Kosovës. Ai diçka të tillë e ka bërë të ditur përmes Facebook-ut, përcjell Albinfo Austria.

“U pajtuam se Covid 19 është rrezik global dhe të gjithë së bashku, konform të gjitha mundësive, me përkushtimin maksimal të punojmë për të mënjanuar rrezikun, deri në gjetjen e rrugëve për mundjen e plotë të virusit. Neve, theksova në takim, kemi nevojë për bashkëpunim, sikundër që kemi nevojë për ndihmë dhe përkrahje, në veçanti në prezantim dhe mbeshtetje të interesave tona, për sigurimin e vaksinës anti Covid19 për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrit të dikasterit të Shëndetësisë.

Ai, tutje, ka vlerësuar ndihmën e Austrisë për Kosovën, që siç thotë, ushqen miqësi të konfirmuar ndaj nesh edhe gjatë historisë.

“Adresa ime e parë, e daljes në vendet e BE-së, e lidhur ngushtë me pandeminë, është jo rastësisht Austria, ky vend mik që ofroi mundësi dhe mbështetje për qytetarët tanë, por edhe ushqen miqësi të konfirmuar ndaj nesh edhe gjatë historisë. Besimi ynë tek miqtë është i madh, sepse ata çdo herë u gjenden pranë nesh, në ditët më të vështira. Ashtu është edhe sot. Ministër Anschober, faleminderit për mikpritjen dhe mirëkuptimin lidhur me shëndetin e qytetarëve tanë”, thuhet më tutje në njoftimin e ministrit kosovar.