E-Diaspora

Elina nuk është më (vetëm) e jona

(Një përpjekje modeste për t’i hedhur një sy albumit të fundit të Elina Dunit dhe Rob Luft-it – “Lost Ships”)

Herën e fundit dëgjova Elinën duke performuar live në dhjetor të vitit 2018 në klubin “Le Signe” në Biel. Atëherë e promovonte albumin e saj solo “Partir”. Për një çast fitova përshtypjen se ajo ishte nisur dhe tashmë po largohej përtej kufijve kulturorë dhe gjeografikë të asaj që ne duam t’i referohemi si “shqiptari”. Ishin këngët “Vishnja”, “Kanga e kurbetit”, “Ani kaj lulije” dhe “Vaj si kenka”, në mesin e gjithë atyre këngëve të tjera të interpretuara në 9 gjuhë, ato të cilat më bënë të ngurroj dhe të them që Elina ishte nisur dhe largohej, ashtu siç edhe aludonte emri i albumit (“Partir”).

Në të vërtetë, unë kisha privilegjin që, për arsye të përpilimit të këtij kontributi, t’i dëgjoj këngët e albumit kolaborativ të Elinës me kitaristin Rob Luft, “Lost Ships”, disa javë para promovimit të tij zyrtar më 13.11.2020. Por, pas dëgjimit ose, më mirë të themi, pas shijimit të këngëve, mund të pohoj më lehtë se Elina nuk është më vetëm e jona. Shëtitjet muzikore, tematike, kulturore dhe linguistike të këtij albumi e bëjnë Elinën edhe më shumë sa universale, po aq edhe unike.

“Ky album trajton çështje bashkëkohore, me të cilat ballafaqohemi të gjithë ne: është storja tragjike e krizës së migrantëve në Europë dhe më gjerë, si dhe pasojat ekologjike të cilat janë rezultat i shkatërrimit të natyrës” – shprehen Elina dhe Rob-i në tekstin hyrës të albumit. Megjithatë, “ky është edhe album i vendeve ku kemi qenë dhe i kemi dashur, vende të cilat nuk ekzistojnë më ose vazhdojnë të ekzistojnë vetëm si fragmente të imagjinatës sonë.”

© Rromir Imami

Këngët e albumit kanë një ngjyrë vjeshte. Melankolia, e cila është pranishme në shumë prej këngëve, baraspeshohet me dritën e cila depërton gjithandej, sepse “In every tear, there is a light that shows…” (Në çdo lot, ka dritë e cila shpërfaq), siç shprehen Elina dhe Rob-i në vargun e fundit të këngës “Lux”. Rrugëtimi i albumit fillon me këngën “Bella ci dormi” në një ambient mediteran, duke e vendosur kështu dëgjuesin në kontekstin e traditës së këndimit të serenadave nën ballkonet e vashave në shenjë dashurie, por edhe si manifestim të dëshirës për t’i martuar. “Brighton”, kënga e radhës në album, bën një shpërngulje gjeografike, gjuhësore, por edhe muzikore, në jug të Britanisë së Madhe, me gjasë në një prej atyre “vendeve ku kemi qenë dhe i kemi dashur…”. Që laramania të jetë edhe më e madhe, ajo këndohet edhe në frëngjisht. Që t’i mbetet besnike Elinës, të cilën shumë prej nesh e përjetojmë, albumi pasurohet edhe me tingujt gjithnjë të pranishëm të këngëve burimore shqiptare “Kur me del në derë” dhe “N’at zaman”.

© Rromir Imami

Pos këngëve, të cilat ndërlidhen me ndikimet e mëparshme, siç janë tingujt e folklorit shqiptar dhe mesdhetar, “ne deshëm të eksplorojmë edhe rrënjë të tjera muzikore…” shprehen Elina dhe Rob-i, duke shtuar: “siç janë baladat e përhershme, shansoni francez dhe kënga popullore amerikane”.

Ajo që shpeshherë manifestohet edhe si zë i dytë në këtë album është kitara e Rob Luft-it, bashkëpunim ky i cili është zhvilluar në një shkallë partneriteti, ku parametrat muzikorë janë vendosur nga të dy artistët. Këtij dueti i shtohen edhe dy mysafirë të shquar: Fred Thomas, multi-instrumentist britanik, i cili dëgjohet duke luajtur në piano dhe perkusion, si dhe trompetisti zviceran Mathieu Michel, të cilët pa dyshim kanë kontribut të veçantë në këtë koncept gjithëpërfshirës.

Në fund, pas një konsumimi pothuajse njëorësh të këngëve të albumit, preferohet t’i lini vetes kohë për ta përpunuar këtë udhëtim dhe ta gjeni dritën e cila “gjendet në secilin lot”, të besoni që ajo dritë “mundet dhe do të shkëlqejë mbi këto kohë të vështira”.

Elina Duni

© Rromir Imami

E lindur në Tiranë, Shqipëri, në vitin 1981, Elina Duni bëri hapat e para në skenë si këngëtare në moshën e saj 5-vjeçare, duke kënduar në Radio-Televizionin Shqiptar. Në vitin 1992 ajo vendoset ne Gjenevë, ku do ta studiojë pianon klasike dhe ku do ta zbulojë xhazin. Studimet e xhazit në Shkollën e Lartë të Artit në Bernë mundësuan edhe themelimin e kuartetit të saj me Colin Vallon, Patrice Moret dhe Norbert Pfammatter, një përbërje e cila zgjati më shumë se 10 vjet. Diskografia e Elines numëron disa albume, si: “Baresha” (2008), “Matanë Malit” (2012), “Muza e zezë” (2014), “Partir” (2018) dhe i fundit, “Lost Ships” (2020).

 

Rob Luft

© Rromir Imami

Është i lindur në Londër më 1993. Në moshën 15-vjeçare luan në “Britain’s National Youth Orchestra”, që më pas t’i vijojë studimet në Akademinë Mbretërore të Muzikës. Pas diplomimit, në vitin 2016, e fiton çmimin e Akademisë “Kenny Wheeler Jazz Prize”. Ka regjistruar si udhëheqës për “Edition label” dhe ka bashkëpunuar me muzicientët Django bates, Martin Speake, Kit Dowens dhe të tjerë. Rob Luft-i është koautor me Elina Dunin i disa këngëve të albumit “Lost Ships”, duke përfshirë këngën kryesore “Lost Ships”, pastaj “Numb”, “Brighton”, “Flying Kites”, “Lux” dhe “Empty Streets”.