Muzikë

Saimir Pirgu do të këndojë para publikut vjenez për Krishtlindje

“Vjena është krejtësisht e mbyllur dhe televizioni austriak këtë vit mendoi që për të gjithë teleshikuesit e Austrisë, por edhe më gjerë të krijonte një koncert televiziv, jo të ashtu-njohurin që bëhet çdo vit"

Tenori i famshëm shqiptar Saimir Pirgu në një intervistë për Euronews Albania ka folur për koncertin “Krishtindje në Vjenë”, që do të transmetohet nga data 21 deri në 24 dhjetor në televizionet austriake, përcjell albinfo.ch.

Ai u shpreh se në këtë koncert do të këndojë dy pjesë dhe se në të do të marrin pjesë edhe artistë të tjerë të njohur.

“Vjena është krejtësisht e mbyllur dhe televizioni austriak këtë vit mendoi që për të gjithë teleshikuesit e Austrisë, por edhe më gjerë të krijonte një koncert televiziv, jo të ashtu-njohurin që bëhet çdo vit. Kështu zgjodhi disa nga artistët internacionalë për të marrë pjesë, dhe një ndër ta jam edhe unë, që do të këndoj dy pjesë”, u shpreh Pirgu.

Po ashtu, ai tregoi edhe një lajmin të bukur për shqiptarët se në këtë koncert do të këndojë dy arie, njëra prej të cilave është vepra e Naim Frashërit, “Fjalët e Qiririt”. Kjo e fundit sipas Pirgut është duhura për gjendjen në të cilën ndodhet bota.

“Për koncertin e Vjenës, programi dhe ariet që kam zgjedhur kanë qenë pak të mirura për të dhënë një mesazh gjithashtu në Vjenë dhe për publikun tonë shqiptar. Kam zgjedhur dy arie, njërën me tekstin e poetit tonë, rilindasit tonë, Naim Frashëri, “Fjalët e Qiririt”, që për gjendjen që ndodhemi do të ishte shume mirë që kjo drita e qiririt të ndriçonte ndopak këdo që ka trurin të mjegullt këtë periudhë. Gjithashtu edhe melodinë e Ennio Morricon-es që këtë vit e kemi humbur dhe kjo në kujtim të tij, mendova “Nella Fantasia”, është a-ja më e mirë për të rikujtuar mjeshtrin e madh. Mesa munda dhashë mundësi që të këndohej shqip, një arie shqip në televizionin austriak, u shpreh ai.

Gjithashtu, Saimiri gjatë intervistës foli edhe për jetën artistike gjatë pandemisë, e cila sipas tij është goditur dhe se ajo pothuajse nuk ekziston fare në asnjë vend të botës.

“Mendoj që jam si të gjithë të tjerët, i ç’orientuar nga kjo që çdo gjë që na ka ndryshuar dhe na ka prekur të gjithëve. Ne artistët na ka prekur më tepër, sepse jeta artistike pothuajse nuk ekziston në çdo cep të botës. Por, gjithsesi me ato pak mundësi që kemi pasur jemi munduar të japim atë çfarë kemi mundur. Siç është edhe ky koncert në Vjenë”, tha ai.

Pirgu nënvizoi se tashmë artistët po mbijetojnë dhe mezi presin që të largohet virusi, në mënyrë që t’i kthehen normalitetit në punë.

“Dy tre muajt e para në Itali, ku ndodha në shtëpi në Verona, ishte tepër e vështirë. Gjatë verës pata aktivitete të shumta, isha ndër të parët që fillova aktivitetet e mia në Romë, në Napoli, në Vjenë.

Atje ku ishte e mundur u bë diçka. Por prapë erdhi vjeshta dhe dimri dhe gjendemi përballë kësaj sfide të madhe që po i bëhet njerëzimit nga një qënie që nuk dimë si të mbrohemi. Është pak vështirë, kemi ndryshuar komplet mentalitetin tonë të të bërit art dhe të gjithë artistet po mbijetojmë. Po presim dita ditës që të shporret ky virus se nuk durohet më”, deklaroi tenori i njohur.

Ai gjithashtu rrëfeu se arti operistik ndodhet në vështirësi se mund të realizohet vetëm përballë publikutm ndryshe nga zhanret e tjera të muzikës.

“E ka tepër të vështirë, vetë arti operistik ka nevojë për teatër, që zëri të depërtojë tek publiku. Nuk është njëlloj siç bëjnë këngëtarë të tjerë me mikrofon. Kjo është e bukura e operas që aftësitë e një solisti të dëgjohen nga publiku. Fakti që mungon kjo gjë, kthehet në një diçka tjetër që është shumë e bukur e re, por nuk është ajo që bëjmë ne. Ne kemi nevojë për kostumet, kemi nevojë për teatrin”, tha ai.

Tenori Pirgu përmendi dhe Shqipërinë, për të cilën tha se ndjen mall të madhe dhe sapo të gjejë mundësinë do të vijë menjëherë.

“Pothuajse kam një vit e gjysmë që nuk kam ardhur në Shqipëri dhe më ka marrë tepër malli, nuk po duroj dot më këtë mbylljen e kufijve.  Me ka kufizuar edhe marrëdhëniet me njerëzit tanë, të dashurit tanë.

Prisja me padurim që të inagurohej teatri i operistik i ri. Nuk e di, arsyet janë të shumta. Kur ka kaq shumë humbje njerëzish është e vështirë të flasësh për art.  Sapo të jetë e mundur do të vijë se më ka marrë malli tepër.

Në këtë intervistë ai foli edhe për planet e së ardhmes, ku tha se shpreson që në fillim të vitit të ardhshëm të vijojë me koncertet në Europë.

“Unë do të vazhdoj me koncertet e tjera që televizionet mund të bëjnë. Kam një në Napoli, kam edhe një tjetër në Zvicër, pastaj viti shpresoj të filloj në Berlin. Të shpresoj që këto mbylljet e kufijve të na lejojnë të bëjmë sadopak art”, përfundoi tenori i njohur. /Albinfo.ch