Lajme

Rita Ora dhe Erion Veliaj do ta përmbyllin sot konferencën “Diaspora Flet 2020”

Duke qenë se “Diaspora flet 2020” është konferenca kryesore globale e Diasporës Shqiptare, e cila ka filluar virtualisht më 19 nëntor, është bërë e ditur se do të përfundojë sot (21 nëntor), transmeton albinfo.ch.

Duhet theksuar se kjo konferencë synon të lidhë profesionistë të industrisë, biznese, komunitete, aktivistë dhe ekspertë nga e gjithë bota.

Rreth ngjarjes konferenca e këtij viti është thurur rreth temës “GlobAL2020: Lidhu. Krijo. Bashkëpuno” që synon të eksplorojë mënyra në të cilat shqiptarët në gjithë botën mund të ndikojnë pozitivisht dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar.

Konferenca, e organizuar nga GERMIN, ditën e sotme (e shtunë) ka të ftuar këngëtaren shqiptare me famë botërore, Rita Orën, në një bashkëbisedim me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Lajmi u bë i ditur në rrjetet sociale nga vetë faqja zyrtare e GERMIN me një postim të publikuar në llogarinë personale, Instagram.

“Surpriza jonë për të gjithë ju: @ritaora dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, @erionveliaj, sot në bashkëbisedim në përmbyllje të konferencës ‘Diaspora Flet 2020’. E realizuar me shumë dashuri e përkushtim, ju ftojmë të na bashkoheni sot, prej 20:30 (CET)”, thuhet në njoftim. /Albinfo.ch