Lajme
Masat e reja të Qeverisë rëndojnë shumë gjendjen në sport
Klubi i volejbollit M-Technologie (femrat), është dashur që stërvitjen e së premtes ta mbajë nga ora 19:00. Por një gjë e tillë do të jetë e pamundur, si pasojë e masave të reja të Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
M-Technologie është nga Prishtina, që do të futet në karantinë prej të premtes kur edhe do të hyjë në fuqi vendimi për masat e reja. Sipas vendimit, komunat do të kategorizohen në tri grupe sipas shkallës së rrezikut nga përhapja e infeksionit. Prishtina futet në zonën e kuqe, në kuadër të komunave me rrezik të lartë të përhapjes së infeksionit. Në këto komuna prej orës 19:00 e deri në orën pesë të mëngjesit do të ndalohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive gjatë kësaj kohe, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme. Gjithashtu, do të ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në kohën e lartcekur, si dhe do të ketë orë policore.
Komunat do të ndahen edhe në ato me ngjyrë të verdhë dhe të gjelbër. Mirëpo, në këto zona nuk do të ketë ndalesa sikurse në komunat me zonë të kuqe.
E pikërisht për shkak të zonës së kuqe në të cilën gjendet Prishtina, këto vendime të reja kanë vështirësuar edhe më shumë situatën te skuadra M-Technologie. Sipas trajnerit Naser Krasniqi, stërvitjet gjithmonë i kanë mbajtur prej orës 19:00 në dy palestra, “1 Tetori” dhe atë shkollës fillore “Xhemajl Mustafa” në “Dardani”.
Vendimi i ri i Qeverisë së Kosovës ka prishur dukshëm planet e ekipit kampion. Ky vendim do të vlerësohet pas dy javësh, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe vlen deri në një vendim tjetër.
“Ne kemi çdo mbrëmje stërvitje prej orës 19:00 dhe nuk e di se si do të veprojmë sepse me vendimin e ri të Qeverisë, pothuajse është e pamundur për ne. Është tepër vështirë dhe vjen në momentin më të keq të mundshëm pasi i kemi disa ndeshje shumë të rëndësishme. Nuk e di se a do të mund të stërvitemi, sepse në të gjitha palestrat në Prishtinë është vështirë të gjesh terminë të lirë para orës 19:00. Ndoshta edhe do të ketë ditë kur nuk do të stërvitemi fare”, ka thënë Krasniqi. “Edhe nëse gjejmë ndonjë termin paradite, do të kemi vështirësi, sepse të gjitha volejbollistet në këtë kohë janë në punë ose të zëna me mësime. Mbi të gjitha kemi edhe lojtare të huaja”.
Vështirësi ndoshta edhe më të mëdha do të kenë skuadrat që stërviten në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Njëra prej këtyre skuadrave është Sigal Prishtina që garon në Superligën e Kosovës në basketboll. Te Sigal Prishtina kanë pranuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja do të shkaktojë telashe të mëdha. Zyrtarët e klubit thonë se tash e tutje do të jetë një kaos i vërtetë sa u përket terminëve në palestër si për stërvitje ashtu edhe për ndeshje. Madje kanë paralajmëruar se mund të jenë të detyruar që t’i ndërpresin stërvitjet e gjeneratave të reja për shkak të terminëve.
“Definitivisht do të ketë shumë vështirësi dhe të gjitha këto ndryshime po e dëmtojnë sportin, natyrisht edhe neve si klub. Këto ndalesa janë të domosdoshme për shkak të situatës, por te ne do të jenë me pasoja dhe po ndikojnë edhe tek sponsorët”, ka pranuar sekretari i klubit, Agon Abazi. “Ne i mbajmë stërvitjet paradite dhe në mbrëmje, kurse tash duhet të ndryshohet tërësisht orari dhe të lëvizet, gjë që do të shkaktojë një kaos të vërtetë në terminë kur dihet se sa shumë vështirë është të sigurohet një termin në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Gjithashtu do të shkaktojë probleme edhe te gjeneratat e reja, të cilave ndoshta duhet t’u ndërpriten stërvitjet për shkak të kësaj situate që do të krijohet pas këtyre vendimeve”.
Edhe në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë thënë se do të duhet të bëjnë zhvendosjen e terminëve të ndeshjeve, që detyrimisht duhet të zhvillohen më herët, në mënyrë që skuadrat nga qytetet e karantinuara të mos kenë probleme.
“Ne duhet të veprojmë në bazë të vendimeve të reja dhe ndeshjet t’i zhvillojmë më herët që ekipet mos të kenë probleme dhe tashmë i kemi paralajmëruar për një gjë të tillë. Ne kemi kërkuar prej tyre që t’i përmbahen vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe varësisht nga gjendja nëpër komuna dhe nga ora policore, ekipet duhet t’i organizojnë ndeshjet për të vazhduar me garat”, është shprehur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Në vendimin e ri të Qeverisë thuhet se lejohen aktivitetet sportive në të gjitha komunat, pavarësisht se cilës zonë i takojnë, asaj me rrezikshmëri të lartë, të mesme apo të ulët të infektimit.
“Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në ‘Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19’”, thuhet në vendim.
Edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë thënë se klubet sportive duhet t’iu përmbahen vendimeve dhe të veprojnë sipas masave të reja për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
“Vendimi vlen për të gjithë, përfshirë këtu edhe sportistët që nuk guxojnë të lëvizin pas orës 19:00 në komunat ku do të jetë ora policore. Klubet duhet të gjejnë mënyra për të vazhduar me stërvitje dhe ndeshje derisa situata paksa të qetësohet”, ka thënë ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në MKRS, Ibër Alaj.
Vikendin e shkuar të gjitha garat në Kosovë u pezulluan. U zhvillua vetëm një ndeshje e hendbollit mes Kosovës e Suedisë. Kjo javë ishte e mbushur me aktivitete sportive.
Në zonën e kuqe pos Prishtinës janë edhe disa komuna. Por njoftim zyrtar për komunat ende nuk ka./koha
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Hamza vazhdon fushatën në Gjermani, takoi bashkatdhetarët në Hannover e Köln Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në kuadër të turneut të nëntorit...
-
Raportohet për eskalim gjatë tubimit të Edi Ramës me shqiptarët në Londër, rrahje mes protestuesish
-
Mbrëmje kulturore kushtuar rrënjëve të qytetërimit tonë
-
Rama nga Londra godet opozitën: Nxitën akte antishqiptare në tokë të huaj
-
Rama takohet me diasporën në Londër, pritet me protesta nga opozita
Jeta në Zvicër
-
Bazeli miraton ndarjen e fondeve për të pritur Eurovizionin Votuesit e Bazelit të dielën miratuan me shumicë dërrmuese që qyteti të shpenzojë afro 40 milionë...
-
Kantoni Aargau refuzon uljen e moshës së votimit në 16 vjeç
-
Zviceranët i thonë “jo” zgjerimit të gjashtë seksioneve të autostradës
-
Shitjet e birrës në Zvicër u zvogëluan nga moti i keq
-
Projeksionet e referendumeve sot në Zvicër