Futboll

Toma: Nuk jam duke menduar për asgjë tjetër, pos Zvicrës

Bastien Toma, lojtari shqiptar i skuadrës belge Genk, ka folur në një interviste për “SRF”, rreth të ardhmes së tij.

21-vjeçari, i cili ketë sezon u transferua te skuadra belge Genk nga Sioni i Zvicrës, është shprehur në një intervistë për “SRF” se as nuk është duke menduar për Kosovën.

Ai e ka vetëm një dëshirë, të luajë për kombëtaren A të Zvicrës, pasi që tani është pjesë e grupmoshave U21.

Shqiptari, i kërkuar gjithmonë nga Kosova, në kualifikime për ‘EURO 2021’, në nëntë ndeshje ka arritur të asistojë gjashtë herë.

Ai konsiderohet që ka aftësi të mëdha për driblim, lojë inteligjente dhe një vizion të shkëlqyer.

Gjithashtu posedon pasaportën e Kosovës, ka pasur kontakte të vazhduara me trajnerin e Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, por Toma siç duket e ka refuzuar atë.

Toma, për Kosovën, është vetëm ëndërr, pasi dëshira e 21-vjeçarit është t’i bashkohet Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.

“Unë e kam diskutuar me familjen time dhe nuk e ndjej asnjë lloj presioni. Momentalisht nuk mendoj për asgjë tjetër, pos Zvicrës”, u deklarua Toma.