Kosova

Shtatë komuna të Kosovës në karantinë, orë policore prej së premtes

Masa të reja antiCovid, Hoti prezanton disa prej tyre

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar masat e reja kufizuese që do të ndërmerren  për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.

Është bërë e ditur se shtatë komuna të Kosovës do të hynë në karantinë, ndërkohë ora policore prej së premtes

Shtatë komuna të Kosovës pritet të futen në karantinë nga dita e premte, ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka thënë se nga ora 19:00 në këto komuna do të ketë edhe orë policore për qytetarët.

Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Podujeva dhe Shtimja, janë komunat në zonën e kuqe, që priten të do të izolohen nga ora 19:00, pas një vendimi nga Qeveria, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se situata me pandeminë është tepër e rëndë.

Ai në një konferencë për media që po e mban, ku edhe do të shpalosë masat e reja anti-COVID, ka thënë se projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë tejet pesimiste.

“Situata është tepër e rëndë, ne kemi përgatitur të dhënat konkrete që t’i shohin të gjithë qytetarët. Duke pas parasysh kapacitetet ne duhet të kujdesemi për masa me specifike. Testimet janë trefishuar në javët e fundit, numri i rasteve pozitive është rreth 1 në 3 që testohen, e ndonjëherë edhe deri në 50 për qind dalin pozitive. Edhe rastet fatale janë në rritje. Projeksionet e IKSHPK-së janë mjaft pesimisite”, ka thënë Hoti.

Hoti ka prezantuar hartën me shkallën e infeksioneve për 100 mijë banorë, duke thënë se Qeveria po shikon që t’i ulë këto shifra.

“E masat e ndërmarra na e përmirësuan situatën, por kur u kthye pandemia në regjion kemi edhe ne rritje. Është bërë riorganizimi, e kemi 838 numrin e shtretërve. Edhe numri me qasje ne oksigjen është rritur. 626 pacientë janë të shtrirë në QKUK dhe spitale”, ka thënë ai.