Kosova
„Kur e bën dashin kopshtar!“ (Pjesa e dytë)
Marrëveshja
Në shikim të parë marrëveshja më duket më tepër sikur Kosova të ishte gjeografikisht në Lindjen e Mesme. A thua i kemi rregulluar çështjet e brendshme aq mirë sa të merremi me marrëveshjen me Serbinë dhe me çështjet e shteteve të Lindjes së Mesme? Në vend se të kujdesen për temat që janë elementare për një shtet, ata nënshkruajnë marrëveshje, në përbërjen e së cilës ka gjithçka nga pak. Kur ka gjithçka nga pak, atëherë nuk ka asgjë ashtu siç duhet. Nuk jam kundër përfshirjes së diplomacisë sonë në politikën e jashtme, fundja për këtë punë paguhet një ministër. Jam kundër që në një marrëveshje, e cila reklamohet edhe një herë më shumë si „historike“ për rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aty përfshihen shumë gjëra që nuk kanë lidhje me raportet ndërmjet tyre. Në negociatat për këtë marrëveshje mungoi këmbëngulësia dhe vendosmëria e qeverisë që kishte për rrëzimin e qeverisë së kaluar. U pajtuan që edhe Liqeni i Ujmanit të bëhet pjesë e marrëveshjes. Pastaj të hiqet dorë për një vit nga aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Por, këta janë të mësuar të varen nga Serbia, pasi që me votat e Listës serbe mbahen në qeveri. Dhe, ashtu janë mësuar që për gjithçka ta pyesin dikënd, sepse vetë nuk kanë guxim të marrin vendime. Druaj që me të njëjtën „këmbëngulësi“ do të vazhdojnë tash me çështjen e Asociacionit.
Modestia e qeverisë
Kohën e fundit lexova në media se si përmendet edhe nga një zëvendësministër «modestia» e kryeministrit, pasi që për drekë në punë merr sanduiç, edhe atë nga shtëpia. Mungonte vetëm të thotë zëvendësministri që është ‘historike’, që një kryeminister e merr drekën me vete nga shtëpia. Pa dyshim që ky veprim i kryeministrit është për t’u përshëndetur. Por, a thua, a nuk kanë diçka tjetër pozitive për t’i treguar popullit a ? Ndoshta më shumë se 25% e popullit do të ishin të lumtur po të kishin mundësi të drekonin me një sanduiç, pra në këtë gjendje e kanë sjellë shtetin këta që po na udhëheqin e që na kanë udhëhequr. E kryeministri po ngrënka «vetëm» sanduiç për drekë! Druaj që me këtë modestinë e sanduiçit kryeministri po negocion edhe marrëveshjet për Kosovën. Së paku këtë përshtypje ma jep marrëveshja e para disa javëve. Per t’u treguar përsëri modeste, kjo qeveri udhëtoi me autobus për në Shqipëri dhe atë pa maska! (së paku në disa foto nuk janë parë me maska). Në raste të tjera kanë udhëtuar dhe udhëtojnë me delegacione të mëdha (të përbëra nganjëherë edhe nga familjarë) me aeroplan nëpër gjithë botën, duke mos e pasur dert buxhetin e shtetit, ose i përdorin automjetet e qeverisë edhe për pushime private e dasma, e tash në kohë pandemie e kanë gjetur për të udhëtuar me autobus, duke e rrezikuar pothuajse gjithë kabinetin qeveritar, që mos thashtë Zoti e të ishin infektuar të gjithë dhe të ishin futur në karantinë dhe të kishim mbetur të na udhëheqin zëvendësit, kur i dimë kriteret se si përzgjidhen ata. Kur ministrat janë të këtij niveli, si janë zëvendësit e tyre? Edhe pse thënë vërtet nuk mund të bënin më keq edhe zëvendësit, pasi që më keq vështirë që mund të bëhet. Gjithashtu besoj që kësaj radhe do t’ua kishte falë populli, po të udhëtonin më sigurt për në Shqipëri për ta marrë dhuratë portin e Durrësit, sikur që e kemi marrë gati për çdo vit, për vite me radhë.
Aksioni në Karaçevë
Qeveritë kanë pasur njohuri për situatën atje. Njëherë ministri paska planifikuar të intervenojë moti kohë, qysh gjatë kohës së qeverisë së kaluar. Pastaj me ndërrimin e qeverisë iu hoq pengesa, por priti përsëri disa muaj për aksionin, deri sa u bë temë përsëri me hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë. Aksioni njëherë u diskutua në Parlament, e pastaj ministri kërcënoi publikisht se do të shkojnë së shpejti atje, pra duke i paralajmëruar. Pak ditë më vonë ministri e mbajti premtimin dhe filloi aksioni. Në shtetet normale këto aksione «befasojnë» të adresuarit e aksionit, e jo të nisen «me tupan» në aksion, kur paralajmërohen disa ditë me parë publikisht. Sido që të jetë, kazinot u mbyllen edhe atje dhe u zbatua ligji më në fund. Kjo është pozitive.
Mocioni i LVV-së
LVV ka filluar disa javë pas rrëzimit nga qeveria publikisht me idenë e mocionit, për të vazhduar pas disa muajve me mbledhjen e nënshkrimeve. Edhe pse e dinin që nuk mund ta rrëzonin në atë kohë qeverinë, pasi që votat i duheshin edhe nga PDK-ja. E presidenti i PDK-së dhe ai i LDK-së këtë qeveri e bëri më shumë për të nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë se sa për diçka tjetër. LVV duhet ta dinte që kjo LDK nuk ka as fuqi e as vullnet që t’ia prishte presidentit.
Nuk e di se me çfarë strategjie LVV e ka filluar kaq shkurt pas largimit këtë temë. Më krijohet përshtypja që e kanë bërë për ta zënë rendin, se mos po e merr dikush tjetër bajrakun. Po kush do ta rrëzonte deri te nënshkrimi i marrëveshjes? Nuk bëhet politikë për inati. Më duket se akoma nuk janë «kthjellur» nga 3 qershori 2020.
E po, çka të presim nga kjo qeveri dhe për çka do të mbahet në mend?
Besoj që nga fillimi i punës së kësaj qeverie nuk kanë pritur ndryshime për të mirë. Më kujtohet një shprehje: „Ta bësh dashin kopshtar“, pastaj nuk mund të pritësh të rriten bimët ose të lulëzojë diçka në atë kopsht. Pra, kur shtetin ta ruajnë përsëri ata të cilët deri dje e kanë gërryer duke e zhvatur dhe kanë treguar që nuk dinë të qeverisin, nuk mund të presësh zhvillim dhe rritje të mirëqenies ose „të lulëzojë“ diçka e mirë.
Druaj që kjo qeveri do të na mbetet vetëm për një gjë si shembull i mirë për të ardhmen; të jemi modest dhe të hamë sanduiç.
Nga Orhan Spahiu, jurist në Zvicër
- Ky është një opinion i autorit dhe nuk pasqyron domosdosmërisht qëndrimin e redaksisë.
E-Diaspora
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce Pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur "Si fëmijë të migrantëve nga Kosova, ne u përballëm herët me pyetjen se çfarë do të...
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?