Kosova

Gruaja shtatzënë sulmohet nga qentë endacakë në Prishtinë, reagon Ahmeti

Një grua shtatzënë nga Prishtina është sulmuar mëngjesin e sotëm nga qentë endacakë, derisa po kthehej nga çerdhja e fëmijëve në shtëpi. Ajo ka deklaruar se qentë i kanë shkaktuar plagë në bark dhe në pjesën e këmbëve.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ibrahim Oruqi”, në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.

29-vjeçarja Besnike Beqiraj, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënësisë, ka deklaruar se është sulmuar nga rreth 10 qen. Ajo ka thënë se është rrëzuar si pasojë e sulmit të qenve dhe nuk ka mundur të ikë.

“Në ora 08:00 të mëngjesit, duke u kthy prej çerdhes së fëmijëve, drejt shtëpi, është një pjesë ku rrijnë vazhdimisht qentë. Aty afër një shtëpie të pabanueshme më kanë sulmuar thuajse 10 qen. Më kanë sulmua tepër, më kanë rrëzuar, nuk kam mundur me ikë, kur ka dashur të më humbë vetëdija, s’kam mundur të bëj asgjë, jam shtatzënë, në muajin e 6-të, s’ka pasur kalimtarë, nuk më ka dëgjuar askush”, ka deklaruar Beqiraj.

Ajo ka deklaruar se ka shumë plagë, të cilat po i shkaktojnë dhimbje të mëdha.

“Kam shumë dhimbtë, kam shumë plagë, jam shumë e lënduar, plagët i kam prej pjesës së barkut e poshtë. Këta të komunës as nuk vinë me e pa, aty rrinë goxha shumë qenë dhe fëmijët rrinë andej. Kam pak qetësim të dhimbjeve sepse jam duke marrë terapi, por i kam dhimbjet shumë të forta, pjesën e këmbëve e kam krejtësisht të kafshuar”, ka thënë ajo.

Doktoresha Krenare Makolli ka deklaruar se pacientja është sulmuar kryesisht në pjesën e këmbëve.

“Pacienten e kemi pranuar sot në mëngjes, sigurisht për shkak të gjendjes së saj pasi është shtatzënë është një gjendje më e jashtëzakonshme se rastet e tjera. Kafshimet e qenve janë bërë problem i madh, zonja ka qenë e shqetësuar, është konsultuar gjinekologu, janë pastruar plagët, për momentin është stabile por e shqetësuar po. Ka plagë në ekstremitete, kafshimet e qenve mund të bëjnë plagë jo të qarta. për momentin i jepet ndihma e parë e pastaj shkojmë me procedurat tjera që do t’i ndjekë në javët e ardhshme”, ka thënë Makolli.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas kësaj ngjarjeje.

“Situata me qentë endacakë është alarmante në çdo komunë të Republikës së Kosovës. Edhe njëherë javën e kaluar të gjitha komunat përmes Asociacionit në takim urgjent me AVUK kërkuam strategji emergjente për dalje nga kriza, por hasëm në vesh të shurdhër, thua se është thjeshtë çështje administrative”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka shkruar se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë buxhet 1.3 milionë euro për ta trajtuar çështjen e qenve endacakë, por situata është edhe më keq.

https://www.facebook.com/shpend.ahmeti/posts/10160416329442166