Lajme

Afera e 2 milionë eurove të vjedhura: Nisin shkarkimet në Qeverinë e Kosovës

Afera e vjedhjes së 2 milionë eurove nga buxheti i Kosovës ka prodhuar efektet e para te nisjes së shkarkimeve në Qeverinë e Kosovës. Zv. kryeministrja, Albulena Balaj, ka liruar nga detyra këshilltaren e saj Hajrie Gashi, pasi babai i kësaj të fundit është i përfshirë në aferën dy milionëshe.

Lajmi e ka bërë të ditur Balaj, në rrjetin social Facebook.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Pas raportimeve në media se prindi i këshilltares sime Hajrie Gashi është i përfshirë në vjedhjen e mbi 2 milion eurove, kam marrë vendim që znj Hajrie Gashi ,me efekt të menjëhershëm, t’a liroj nga detyra e këshilltares.

Znj Hajrie që nga fillimi ka qenë ndër këshilltaret e përkushtuara jashtë mase dhe me sukses ka kryer të gjitha detyrat e ngarkuara nga unë!

Edhe pse jam e vetëdijshme që askush nuk duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e familjarëve të tij, në këtë rast të saj, për shkak që kemi të bëjmë me një krim shumë të rëndë, lirimin e saj nga detyra e shoh si të domosdoshëm.

Këtë vendim e kam marrë për të hequr çdo dyshim para qytetarëve se funksioni i lartë i këshilltares do të mund të përdorej për pengim të drejtësisë!”, ka shkruar Balaj.

Ndryshe gjatë ditës, partitë opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së financave Hikmete Bajrami. Derisa Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen e ghithë qeverisë.