Lajme

Bashkëpunim i frytshëm mes kompanisë shqiptare në Austri dhe kompanisë në Kosovë

Një bashkëpunim i suksesshëm del të jetë mes një kompanie shqiptare nga Innsbrucku dhe një tjetër nga Prishtina.

Bëhet fjalë për një projekt të energjisë solare mes kompanisë “AT Mobilfunk” dhe kompanisë nga Kosova, “Elen”.

“Është një projekt që kemi realizuar këtu në Austri. Të gjitha pajisjet për energji solare i kam marrë nga ndërmarrja kosovare “Elen”, ka thënë Ajet Tahiri, pronar i “AT Mobilfunk” dhe biznesmen i njohur në Austri.

“Janë në realizim e sipër edhe 4 projekte të ngjashme”, ka thënë ai.

Ajet Tahiri thotë se më këtë bashkëpunim ne po i hapim tregun e Evropës një firme kosovare dhe pritet që projektet e ardhshme të kapin shifra milionëshe, shkruan Albinfo Austria.

Tahiri tash e shumë vjet ka firmën “AT Mobilfunk” në Innsbruck, e cila merret kryesisht me teknikën e komunikacionit mobil, elektroteknikë dhe energji solare.

Muaj më parë, kompania e njohur e telekomit “A1” ka angazhuar kompaninë “AT Mobilfunk” si partner kryesor për të bashkëpunuar gjatë kohës së pandemisë për landet: Tirol, Vorarlberg dhe Salzburg.

Ajet Tahiri është kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri – dega Tirol.