Lajme

Të premten, në Vjenë, promovohet libri „Pranverë e helmuar“ i autorit Hazir Mehmeti

Libri „Pranverë e helmuar“ është një shenjë kujtimi e respekti për nxënësit e helmuar shqiptarë në vitin 1990.

Në kuadër të „Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri“, të cilat kanë filluar që nga data 18 tetor, të premten në Vjenë do të bëhet promovimi i librit „Pranverë e helmuar“ i autorit dhe publicistit, Hazir Mehmeti, raporton Albinfo Austria.

Libri „Pranverë e helmuar“ është një shenjë kujtimi e respekti për nxënësit e helmuar shqiptarë në vitin 1990.

Autori Hazir Mehmeti me gjurmimet e tij na sjell shënime të dokumentuara të një ngjarjeje makabër që ka ndodhur 30 vjet më parë, siç ishte helmimi i nxënësve të pafajshëm shqiptarë nga pushtuesi serb. Një krim ky i pandëshkuar, por edhe i anashkaluar nga pushtetarët e Kosovës.

Në librin “Pranverë e helmuar” shkruhet se në atë kohë u helmuan mbi 8 mijë nxënës shqiptarë në shkolla të ndryshme të Kosovës, duke filluar nga ato të ciklit parashkollor e deri tek ai universitar, shkruan Albinfo Austria.

Hazir Mehmeti është autor i disa veprave në Austri, një nga figurat më të shquara të komunitetit shqiptar në Austri, publicist i dalluar dhe ish-mësues i zellshëm i mësimit plotësues shqip në Austri. Ai është edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijueseve Shqiptarë „Aleksandër Moisiu“ në Austri.

Libri do promovohet në Vjenë, ditën e premte, më 23 tetor 2020.

Adresa: Linzer Str.429 „Europohaus“ 1140 Wien, duke filluar nga ora 17.30.