Lajme

Ministria e Jashtme e Kosovës me telegram ngushëllimi për tragjedinë që ndodhi në Gjermani

Ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla përmes një telegrami ngushëllimi ka shprehur pikëllim të thellë për aksidentin tragjik që ndodhi dje në Gjermani, ku 6 shqiptarë të Kosovës, prej të ciëve 4 anëtarë të një familje humbën jetën gjatë një aksidenti tragjik derisa po ktheheshin nga Kosova në Zvicër.

“Në këto çaste të vështira për të gjithë ne ku për vetëm një javë u shuan tragjikisht 6 jetëra të bashkëatdhetarëve tanë, shprehim pikëllimin e thellë për të gjitha tragjeditë e tmerrshme që rënduan fatin e diasporës sonë sidomos javën e fundit, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.

Duke qenë të vetëdijshëm që jeta në mërgim nuk është e lehtë, dua të shprehë mirënjohjen time të thellë për të gjithë bashkëkombësit tanë në diasporë që nuk e harruan asnjëherë gjakun, atdheun, dhe kombin, dhe kështu mbesin pjesë e pandashme e jona, pavarësisht se ku ndodhen fizikisht.

MPJD dhe misionet e saj diplomatike e konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e shteteve pritëse dhe në shërbim të qytetarëve tanë kudo”, shkruan ministrja kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, transmeton Albinfo.ch.