Lajme

Sot pritet t’u jepet lamtumira e fundit dy vëllezërve deçanas

Është bërë e ditur se sot pritet t’u jepet lamtumira e fundit dy vëllezërve deçanas që u goditën për vdekje nga treni në një qytet të Gjermanisë, përcjell albinfo.ch.

Së fundmi, njëri nga familjarët e viktimave ka njoftuar se trupat e pajetë të 13-vjeçarit dhe 17-vjeçarit mbrëmë janë nisur për në Kosovë, ndërsa varrimi do të bëhet gjatë ditës së sotme.

“Sonte janë nisur nga Gjermania kufomat e tyre dhe do të mbërrin në Kosovë. Në varrim pritet të ketë numër të madh të pjesëmarrësve”, ka thënë ai.

I njëjti ka dhënë detaje se bashkë me viktimat ishte edhe vëllai i tyre, 14-vjeçari, i cili fatmirësisht shpëtoi mrekullisht nga aksidenti tragjik që tronditi vendin.

Ndryshe, detaje se si ka ndodhur rasti ka dhënë edhe Policia e Gjermanisë.

“Ngjarja ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit. Fëmijët kanë kaluar shiritin, i cili ishte i vendosur në mënyrë që të kapin një tren, por një tjetër i cili ishte në anën e kundërt, ka ardhur dhe i ka goditur. Me rastin po merret Policia”, tha oficeri i Policisë që është në vendin e ngjarjes.

Drejtuesi i trenit donte të fillonte një frenim emergjence, por ishte tepër vonë, tha zëdhënësi i policisë.

Dëshmitarë të shumtë okularë, përfshirë disa studentë të shkollës së mesme, panë aksidentin fatal.