Kosova

Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë miraton standardet për tekstet mësimore në diasporë

Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për miratimin e teksteve mësimore për diasporën është ngritur në zbatim të marrëveshjes së miratuar midis dy shteteve

Komisioni i Përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës për miratimin e teksteve mësimore për diasporën, i cili po mbahet prej dy ditësh në Prishtinë, ka hartuar dhe ka miratuar standardet për tekstet mësimore të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë, në përputhje me legjislacionet e të dyja vendeve, shkruan albinfo.ch.

Komisioni i Përbashkët Shqipëri-Kosovë për miratimin e teksteve mësimore për diasporën është ngritur në zbatim të marrëveshjes së miratuar midis dy shteteve.

Komisioni “Për organizmin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë dhe mërgatë”, koordinohet nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe ka në përbërje të tij përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Republikës së Shqipërisë, si dhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Kosovës. /Albinfo.ch