Lajme

Si mund të ndihmojnë të pasurit në ‘shpëtimin’ e planetit

Njerëzit e pasur nuk kanë thjesht gjendje bankare me shumë të ardhura, mirëpo kanë në dispozicion edhe mënyra më të bollshme jetese se ne të tjerët. Sa më shumë sende të keni, dhe sa më shumë të udhëtoni, aq më shumë lëndë djegëse fosile digjen dhe aq më shumë gazra emetohen në atmosferë. Blerja e mallrave luksoze, mbajtja e pallateve të ngrohta dhe vozitja e super veturave – të gjitha kanë një gjurmë karboni.

Studimet tregojnë se të varfërit vuajnë më shumë nga ndryshimi i klimës. Disa argumentojnë se të pasurit mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar në rregullimin e krizës së klimës.

Vendimet për blerjet e të pasurve do të thonë shumë më tepër në luftën kundër ndryshimit të klimës sesa ato të shumicës së njerëzve.

Ilona Otto dhe kolegët e saj në Institutin e Potsdamit për Studimin e Ndikimit të Klimës vlerësuan se familja tipike “super e pasur” e dy personave (të cilën ata e përcaktonin se kishin pasuri neto prej më shumë se 1 milion dollarë, duke përjashtuar shtëpinë e tyre kryesore) ka një gjurmë prej 129 tonë CO2 në vit. Kjo është rreth 65 tonë CO2 në vit për person, që është mbi 10 herë mesatarja globale.

Otto vuri në dukje se për shkak se kampioni në studim ishte i vogël, numrat janë ilustrues.

“Ndoshta vlerësimet tona janë edhe më të ulëta sesa emetimet e vërteta të milionerëve”, tha ajo.

“Lidhur me zgjedhjet e tyre të jetesës, të pasurit mund të ndryshojnë shumë”, tha Otto. “Për shembull, vendosja e paneleve diellore në çatitë e shtëpive të tyre. Ata gjithashtu mund të përballojnë makina elektrike dhe më e mira do të ishte nëse shmangnin fluturimet”.

Pasuri do të thotë fuqi – njerëzit e pasur nuk janë vetëm vendimmarrës ekonomikë, ata gjithashtu mund të kenë ndikim politik.

Ata mund të financojnë parti politike dhe fushata dhe të kenë qasje te ligjvënësit.

Otto argumentoi se njerëzit e pasur mund të përdorin fuqinë e tyre politike për të nxitur ndryshime pozitive në politikën e klimës.

“Ata kanë para dhe burime për të vepruar dhe gjithashtu kanë rrjetet sociale”, shpjegoi ajo, shkruan “CNN”, përcjell albinfo.ch.