Lajme

Gratë shqiptare kërkojnë votën në zgjedhjet lokale të Vjenës

Të tri gratë shqiptare kërkojnë të votohen nga komuniteti ynë në Vjenë.

Të paktën tri gra shqiptare janë duke garuar për zgjedhjet lokale të Vjenës që do të mbahen të dielën, me 11.tetor 2020.

Drita Cacaj e cila vjen nga partia ÖVP, kandidon për Këshillin e Bashkisë së Vjenës, ndërkohë dy anëtarët e partisë SPÖ, Rolanda Limani dhe Dafine Mula garojnë për Këshillin e Qarkut të 10-të, respektivisht të Qarkut të 15-të.

Të tri gratë shqiptare kërkojnë të votohen nga komuniteti ynë në Vjenë.

Kandidatja Drita Cacaj në një bisedë për Albinfo Austria ka thënë se në Vjenë jetojnë afërsisht 17 mijë shqiptarë me të drejtë vote, dhe po të dilnin të gjithë në votime, jo vetëm një përfaqësues, por do t’i kishim  së paku tre veta vetëm në Këshillin e Vjenës.

„ Ne i jemi falënderues popullit dhe shtetit mik austriak. Ata na i kanë dhënë gjitha mundësitë për të vepruar dhe integruar. Por, ata kërkojnë nga komuniteti ynë që të jemi pjesë e vendimmarrjes. Është krejt ndryshe kur projektet, brengat dhe nevojat e komunitetit  tona përfaqësohen nga dikush tjetër, dhe do të ishte krejt ndryshe kur do të kishim një përfaqësues tonë në vendimmarrje“, thotë ajo.

Drita Cacaj

Kandidatja Rolanda Limani e cila garon në qarkun (Bezirkun) e 10-të, po ashtu ka bërë thirrje komunitetit shqiptarë në Austri që të dalin në zgjedhje dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. “…do të ishte diçka shumë e bukur që të kishim zërin tonë të përfaqësimit si nëpër asamble ashtu edhe në parlamentin e Vjenës. Është e pafalshme të mos kemi asnjë përfaqësues shqiptarë, sepse shqiptarët këtu jetojnë prej shumë vitesh, janë plotësisht të integruar dhe duhet shfrytëzuar të drejtën e votës” ka thënë Rolanda Limani për Albinfo Austria.

Rolanda Limani
Rolanda Limani

Një tjetër kandidate shqiptare nga radhët e SPÖ-së, është Dafine Mula. Ajo garon për qarkun e 15-të të Vjenës. Dafina mban numrin 20 dhe është e bindur se ajo do të jetë pjesë e asamblesë së ardhshme të këtij qarku në Vjenë. “Jam më se e sigurt që ne si parti do fitojmë.  Meqë jam renditur në një pozitë të lartë, besoj shumë se do të kam mundësinë që të jam pjesë e Asamblesë së Qarkut për vitet e ardhshme”, ka theksuar ajo për portalin tonë.

Dafine Mula
Dafine Mula

Mërgata shqiptare në Austri është e integruar thuajse në gjitha sferat shoqërore, por mungon prezenca e numrit të madh në nivelet politike, veçanërisht në Vjenë.