Shqipëria
Ambasadori Gjoni: Komuniteti ynë në Zvicër, rol vendimtar në raportet mes dy vendeve
Prononcim për albinfo.ch i Ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër, z. Ilir Gjoni, në 50 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Zvicër
Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni
Në 50 vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Zvicrës, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Shkëlqesia e tij Ilir Gjoni ka bërë një prononcim për platformën albinfo.ch.
Në prononcimin e tij për këtë jubile të veçantë, z. Gjoni flet për raportet miqësore Shqipëri – Zvicër, për respektin e ndërsjellë që ushqejnë këto dy vende, për kontributin e madh të Zvicrës për ekonominë shqiptare etj. Ndërsa një faktor vendimtar për këto marrëdhënie të shkëlqyera, sipas ambasadorit shqiptar është komun iteti i madh shqiptar në Zvicër.
Në vazhdim, prononcimi i plotë i z. Gjoni.
50 vjet më parë, në korrik 1970, Shqipëria dhe Zvicra vendosen marrëdhëniet diplomatike. Pas gjysëm shekulli, të dyja vendet ndajnë të njëjtat vlera dhe kanë farkëtuar lidhje të ngushta mes dy popujve. Gjatë kësaj periudhe kemi mundur të njohim njëri tjetrin dhe të ndërtojme një marrëdhënie të thellë, të qëndrueshme e cila bazohet në një besim dhe vetedijësim reciprok që mund të ekzistojë vetëm mes miqve të ngushtë dhe që bazohet në lidhje të forta dhe këmbime në fusha të ndryshme.
Shqiptarët gjithmonë e kanë admiruar Zvicrën, të cilën e shohin si një vend me diversitet, multikulturor, krenar për traditat e saj. Zviceranët nga ana tjetër kanë një vlerësim për shqiptarët, historinë dhe traditën e pasur të mikëpritjes. Këto perceptime pozitive sigurisht që bazohen në vlera të përbashkëta. Të dyja vendet shohin drejt të ardhmes dhe janë krenarë për traditat që mbartin.
Një nga cilësitë më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të kuptohesh.Ne ja kemi dalë mbanë kësaj. Që nga viti 1970 marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Zvicrës kanë njohur vetëm zhvillime pozitive në të gjitha fushat- politike, kulturore, ekonomike dhe sociale. Janë shtuar vizitat bilaterale të nivelit të lartë, në nivel kryetarë parlamentesh, ministrash duke kulmuar në mars 2017 me vizitën e parë të një kryeministri Shqiptar në Konfederatën Zvicerane, ndërkohë që edhe sivjet, Zvicra renditet si investitori i parë në Shqipëri me një volum prej afërsisht €1.54 miliardë.
Bashkepunimi ne planin diplomatik ai ne aspektin ekonomik- ne fushen e energjise, turizmit, finances, kontributi i çmuar i Zvicres ne konsolidimin e institucioneve demokratike ne Shqipëri, asistenca e vyer në arsimin profesional, shëndetësi, infrastrukture, janë vetëm disa nga aspektet e këtij bashkëpunimi të frytshem të orientuar drejt rezultateve konkrete.
Ministritë e jashtme të të dyja vendeve kanë një bashkëpunim të ngushtë e të frytshem, ndërkohë që konsultimet diplomatike mes tyre zhvillohen në intervale të rregullta e gjithnjë e më të shpeshta. Bashkëpunimi në kuadër të OSBE dhe ndihma e Zvicrës me marrjen e kryesisë së radhës nga ana e Shqipërisë ka qenë tepër e çmuar. Për tu shënuar është edhe bashkëpunimi në kuadër të organizatava ndërkombëtare siç është rasti konkret i mbështetjes reciproke, ndër të tjera, për anëtarësim jo permanent në KS të OKB.
Shqipëria e konsideron Zvicrën një partner shumë të besuar. Shqipëria konsiderohet nga Zvicra si një vend prioritar sa i përket bashkëpunimit për zhvillim. Të dyja vendet ndajnë interesin e tyre të përbashkët në zhvillimin dhe stabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zvicra është ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Zvicra mbështet fuqishëm lidershipin proaktiv rajonal të Shqipërisë si dhe aspiratat e Shqipërisë për në BE.
Ndihma dhe bashkëpunimi i qeverisë dhe popullit zviceran kanë luajtur një rol vendimtar në konsolidimin e institucioneve demokratike. Përmes Strategjive të njëpasnjëshme për Zhvillim dhe programeve të ndihmës që janë zbatuar përmes kësaj Strategjie, vendi ynë ka mundur të forcojë institucionet demokratike, parlamentin, pushtetin lokal si dhe të përmirësojë ndjeshëm inftrastrukturën, si atë energjitike, rrugore etj. Kështu për shembull, veprimtaritë e Zvicrës në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim orientohen nga prioritetet për zhvillim të qeverisë shqiptare dhe synojnë mbështetjen e Shqipërisë në realizimin e agjendës së saj të reformave dhe rrugës së saj drejt integrimit në Bashkimin Europian. Zvicra ka mbështetur tranzicionin demokratik të Shqipërisë qysh prej 1992 me mbi 260 milion franga zvicerane.
Në këto 50 vite kemi mundur të krijojmë një kuadër ligjor të shumëllojshëm dhe shterues. Ai konsiston në rreth 30 marrëveshje që mbulojnë fusha të tilla si tregtia, transportet, ekonomia, doganat, çështje konsullore, legale, sigurinë, energjinë, bujqësinë etj.
Një ndër momentet më të spikatura në kuadrin e përbashkët legjislativ është dhe dakordësimi për Marrëveshjen e Sigurimeve Shoqërore I cili do të nënshkruhet brenda këtij viti.
Përtej Strategjive për Zhvillim, lidhja mes dy popujve gjen shprehjen më të qartë sidomos në momente të vështira. Ne nuk mund të rrimë pa përmendur ndihmën e mënjëhershme e bujare të popullit e qeverisë zvicerane duke ju gjendur pranë popullit shqiptar pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe për të cilën ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbështetjen që qeveria zvicerane dha për institucionet tona të shëndetësisë gjatë periudhës së tanishme të pandemisë.
Pa dyshim që një rol vendimtar në forcimin e marrëdhënieve dhe njohjen e njëri tjetrit ka luajtur komuniteti i madh shqiptar që jeton e punon në Zvicër. Nuk ka dyshim se kontributi i diasporës shqiptare në këtë marrëdhënie është i patjetërsueshëm dhe ka shërbyer e shërben si urë lidhëse mes dy popujve dhe vendeve tona.
Për ta përmbyllur dëshiroj të nënvizoj se ky 50 vjetor na jep mundësinë të përcaktojmë tonin dhe drejtimin për të ndërtuar, thelluar dhe zgjeruar më tej marrëdhëniet për vitet në vijim. Ky është një moment domethënës dhe një mundësi për ne për të reflektuar mbi këtë udhëtim të përbashkët dhe për të parë me besim drejt të ardhmes. Pesëdhjetë vitet e kaluara kanë treguar se forcimi i miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Zvicrës jo vetëm që ka sjellë përfitime konkrete për të dy popujt, por po ashtu ka kontribuar në stabilitetin e rajonit të BP, bashkëpunimin dhe zhvillimin në këtë rajon.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës