Lajme

Austri: Nga e mërkura, më shumë para në llogarinë tuaj

Nga dita e mërkurë fillon reforma e re e uljes së taksave mbi pagën në Austri. Punëtorët do të përfitojnë deri në 350 euro më shumë para në vit.

Në llogarinë e disa punëtorëve në Austri tashmë paga e tyre ka ardhur më e madhe. Kjo ka mundur të ndodhë në fillim të shtatorit, disa të tjerëve në mes të muajit, kurse për shumicën do të vijë që nga dita e mërkurë, atëherë edhe kur bëhet pagesa e muajt shtator, shkruajnë mediat austriake.

Paratë shtesë, të cilat vijnë së bashku me pagën mujore, nuk janë rritje e pagës nga firma, por ulje e tatimit mbi pagën të cilën e ka aprovuar qeveria austriake, përcjell Albinfo Austria.

Në varësi nga të ardhurat tuaja, kjo do t’ ju sjellë deri në 350 euro më shumë në vit. Konkretisht, për të ardhurat vjetore midis 11.00 – 18.000 euro, nga 1 janari 2020, tatimi mbi pagën do të ulet nga 25 në 20 për qind. Kjo do të thotë: Afro 30 euro do të paguani tatim më pak, apo thënë më mirë, afro 30 euro do t‘ju vijnë çdo muaj më shumë në llogarinë tuaj.

Edhe pse reforma e uljes së tatimit mbi pagën jetësohet nga muaji shtator, kjo reformë vlen 1 janari 2020. Që do të thotë: me pagën e muajt shtator do të merrni gjithë uljen e tatimit nga janari e deri tash. Mesatarisht secilit punëtor në Austri do të marrë në muajin shtator rreth 180-200 euro më shumë, varësisht nga rroga bruto që e kanë. Ndërsa tash e tutje rroga juaj do të vijë më rritje prej afro 30 euro.

Përndryshe, qeveria austriake ka qenë jashtëzakonisht “dorëlire” gjatë muajit të shtatorit. Për shkak të krizës së pandemisë, përveç tjerash, qeveria ka ndarë një bonus shtesë për secilin fëmijë, duke dhënë 360 euro më shumë, ndërsa për të papunët ka dhënë po ashtu shtesë 450 euro më shumë.