Lajme
Rolanda Limani garon në zgjedhjet e Vjenës
"Do të ishte diçka shumë e bukur që të kishim zërin tonë të përfaqësimit si nëpër asamble ashtu edhe në parlamentin e Vjenës. Është e pafalshme të mos kemi asnjë përfaqësues shqiptar"
Rolanda Limani është nga qyteti i Gjakovës. Prej vitit 1992 jeton dhe punon në Austri. Fillimisht ka banuar në Baden e më pas është shpërngulur për të jetuar në Vjenë. Zonja Limani është e njohur me aktivitetet e shumta te komuniteti shqiptar në Austri. Ajo ka punuar si përkthyese, ndërsa në të njëjtën kohë tash e shumë vite është aktive me organizime të shumta kulturore – artistike.
Që nga viti 2006 drejton Shoqatën Kulturore “12 Qershori”, ndërsa nga viti 2017 edhe Fondacionin e Gruas Shqiptare “Nermin Vlora Falaschi”, dega në Austri.
Rolanda Limani garon për zgjedhjet e Vjenës, përkatësisht është e nominuar për asamblistë për qarkun e 10- të (Favoriten) të Vjenës.
Zonja Limani, ju jeni kandidate nga Partia Socialdemokrate për asambliste në qarkun (Bezirk) e 10-të të Vjenës. Por, në të njëjtën kohë synoni ulëse edhe në Këshillin e Vjenës. Pse vendoset të merreni me politikë?
Kur jeton në një shtet me sistem demokratik si Austria duhet edhe të marrësh përgjegjësi për veten, për familjen dhe për njerëzit në përgjithësi. Jo të gjithë e kanë mundësinë apo dëshirën për të dhënë diçka nga vetja pa pritur asgjë në këmbim. Në thelb kjo është politika së cilës unë kam dëshirë t’i shërbej. Në qytetin ku jetojmë, pra në Vjenë, partia të cilës i takoj (SPÖ) dhe e cila udhëheq me kryeqytetin austriak, ka arritur të bëjë gjëra mjaft të mira në shërbim të shoqërisë. Së bashku me këtë parti, kemi dëshirë të vazhdojmë më suksese të reja për të bërë Vjenën një qytet edhe më të mirë, dhe më të dashur për gjithë banorët e saj. Do të jetë një sfidë dhe kënaqësi të jap kontributin tim për dobinë e gjithë shoqërisë.
Prej sa vitesh jeni pjesë e SPÖ dhe pse zgjodhët këtë parti?
Prej vitesh merrem me politikë dhe prej fillimit i kam mbetur besnike partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPÖ). Realisht ka 5 vite që jam aktive e kësaj partie. Kandidoj me këtë parti, sepse është një forcë politike me afër mendimit tim personal në lidhje me politikat që janë në dobi të shoqërisë dhe komuniteteve në përgjithësi. Për sa kohë jetojmë në demokraci, është e bukur të zgjedhësh se cila forcë politike i afrohet më shumë aspiratave të tua qytetare.
Natyrisht se ju synoni të merrni vota nga shqiptarët. A prisni të votoheni edhe nga austriakët?
Arsyeja kryesore e kandidimit tim sigurisht që ka lidhje të drejtpërdrejta me komunitetin shqiptar që jeton në Austri, gjegjësisht në Vjenë. Por, kjo nuk do të thotë që nuk kam mbështetje edhe nga qytetarët austriakë. Duke qenë prej shumë vitesh shtetase austriake dhe duke punuar në shtetin ku ne të gjithë jetojmë, ndjehem tashme si në shtëpinë time. Kjo vjen dhe si pasojë e raporteve të mira me miqtë austriakë, e bashkëpunimit të sinqertë me shumë shoqata qeveritare e jo vetëm.
Si po e zhvilloni fushatën. A mbani tubime me komunitetin shqiptarë dhe me ata që prisni t’ju votojnë?
Tubime publike nuk mbajmë sepse në situatën në të cilën ndodhemi prej pandemisë është e pamundur. Por, po mundohem të jam aktive duke mbajtur kontakte në distancë. Herë pas here si gjithmonë, pjesë e angazhimeve të mia personale është ndihma që u ofroj jo vetëm personave të veçantë por, edhe grupeve të ndryshme të shoqërisë në nevojë. Kam qenë e do të jem gjithmonë në shërbim të komunitetit tonë e më gjerë për të ndihmuar e kontribuar në vështirësitë që njerëzit hasin në jetën e tyre të përditshme. Kjo është ajo që me diferencon nga të tjerët dhe është diçka që e bëj me kënaqësinë më të madhe.
Përafërsisht, a dini sa është numri i shqiptarëve që jetojnë në Vjenë dhe a mund t’ju votojnë shqiptarët edhe të “Bezirk”-eve tjera?
Numri i shqiptarëve që jetojnë në Vjenë është relativisht i lartë, mbi 30.000, ndërkaq me të drejtë vote janë diku rreth 19.000 shqiptarë. Prandaj, do të ishte diçka shumë e bukur që të kishim zërin tonë të përfaqësimit si nëpër asamble ashtu edhe në parlamentin e Vjenës. Është e pafalshme të mos kemi asnjë përfaqësues shqiptar, sepse shqiptarët këtu jetojnë prej shumë vitesh, janë plotësisht të integruar dhe duhet shfrytëzuar të drejtën e votës.
Si mund të votojnë ata që dëshirojnë të votojnë për ju?
Ditën e votimit, me 11 tetor 2020, i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve më të drejtë vote në Vjenë se pavarësisht se unë kandidoj në “Bezirk”-un e 10-të të Vjenës, të gjithë ata që jetojnë e votojnë në “Bezirk”-et e tjera kanë mundësi të me zgjedhin duke votuar për partinë SPÖ dhe përkrah logos të shënoni emrin tim, kurse te rubrika “stimme” të vendosni shenjën “X”.
Çfarë jeni me profesion dhe cila ka qenë puna e juaj e deritashme?
Unë punoj si konsulente- mbikëqyrëse në “Case management” në “Volkshilfe-Wien”, por për shume vite kam punuar si përkthyese në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Shumica e shqiptarëve me njohin prej kësaj periudhe por edhe shumë austriakë gjithashtu. Poashtu kam marrë pjesë aktive në çështjet e integrimit me projekte të shumta e të ndryshme shtetërore të Austrisë por edhe të Evropës e më gjerë. Ka qenë kënaqësi e veçantë t`i shërbej komunitetit tim, kënaqësi kjo që do të doja të vazhdoja duke i shërbyer dhe në politikë.
Cila është motoja e juaj në këto zgjedhje?
Motoja ime është një frazë shumë e thjeshtë por tepër kuptimplote: “Vepra në vend të fjalëve”. Unë dëshirojë të veprojë, të punoj, ndërsa të flasë pasi te arrihen rezultatet. Do t’i shërbej komunitetit shqiptarë deri në fund më përkushtim maksimal për të pasur një prosperitet në arsim, edukim dhe punësim. Do të punoj për një barazi për të gjithë qytetarët e Vjenës dhe do të jam e gatshme për të ndihmuar të gjithë njerëzit me nevojë.
Cili është mesazhi juaj dërguar bashkatdhetarëve tanë në Vjenë?
Kam shumë besim se shqiptarët do të dinë të zgjedhin më së miri për të përfaqësuar vetveten dhe të gjithë bashkëkombësit tonë. Unë kërkoj votën e tyre, sepse përmes votës do të jam zëri i tyre. Jam e bindur se vetëm duke qenë të bashkuar e në ndihmë të njëri – tjetrit do të mundemi të kemi më shumë përfitime. Shqiptarët e kanë treguar gjithnjë se dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe jam e bindur se zgjedhja e tyre e duhur për zgjedhjet e 11 tetorit 2020, do të jetë SPÖ me kandidate, Rolanda Limanin. Zëri im do të jetë zëri i gjithë shqiptarëve!
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Si pasojë e borës, transporti publik ka ndërprerje në shumë qytete Fillimi i dimrit në ultësira ka gjunjëzuar transportin publik. Situata është normalizuar që nga e premtja,...
-
Negociatat Zvicër-BE: Marrëveshja me BE-në mund t’u kushtojë universiteteve zvicerane 46 milionë
-
Vonesat dhe anulimet e trenave, pse kaosi shpërthen shpesh në shina kur bie bora e parë
-
Aarau shqyrton mundësitë për qytetin e vjetër pa autobus
-
Shitjet e birrës në Zvicër u zvogëluan nga moti i keq