Integrimi

LAPSH “Naim Frashëri” merr mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në Zvicër

Viti i ardhshëm përkon me 30 vjetorin e themelimit të LAPSH-së. Por, për shkak të vështirësive nga pandemia e COVID-19, ende nuk është vendosur për një datë të shënimit të jubileut

Fillimi i vitit të ri shkollor në Zvicër, është po ashtu edhe fillimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në shumë shkolla të kantoneve të ndryshme në Zvicër. Kjo ishte edhe njëra ndër arsyet e mbledhjes së radhës së Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër –LAPSH „ Naim Frashëri“

Pasi që për të mbajtur takimin shfrytëzoheshien ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës ne Bernë, i pranishëm në këtë takim ishte edhe Ambasadori i ri, z. Sami Ukelli, shkruan albinfo.ch.

© 2020 ALBINFO.CH/ALBAN HAMZA

Ukelli, një diplomat karriere, i kishte të njohura problemet që hasin organizatorët e mësimit shqip në Zvicër, e për ta ofroi bashkëpunim, me qëllim arritjen e objektivave të tyre së bashku.

Në anën tjetër kryetari i LAPSH-së, Nexhat Maloku, së bashku me anëtarët tjerë të kryesisë dhe ata nga këshillat kantonalë,  vijuan më pas me pikat e rendit të ditës, të caktuara më parë.

Fillimisht, nga përfaqësuesit e Këshillave Kantonalë të LAPSH-së, u dhanë informacione mbi mbarëvajtjen e procesit plotësues mësimor, si dhe detaje tjera sa i përket numrit të nxënësve që vijojnë mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në secilin kanton.

© 2020 ALBINFO.CH/ALBAN HAMZA

Duke qenë se viti i ardhshëm përkon edhe me 30 vjetorin e themelimit të LAPSH-së, kjo ishte edhe njëra ndër temat e diskutuara në këtë takim, shkruan albinfo.ch. Por, për shkak vështirësive të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, ende nuk është vendosur për një datë të caktuar, kur mundet të organizohet një ngjarje festive për këtë përvjetor jubilar.

Po ashtu, si pjesë e këtij përvjetori pritet të nxirret edhe një libër, ku do të përmblidhen të gjitha aktivitetet dhe kontribuesit e LAPSH-së në këto 30 vite.

© 2020 ALBINFO.CH/ALBAN HAMZA

Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe Kuvendi i LAPSH, i cili obligohet edhe me statut, e që pritet të mbahet vitin që vjen.

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” është formë e organizimit të arsimtarëve dhe prindërve shqiptarë në Zvicër. Ajo është organizatë jopolitike dhe jofetare. Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” është bartëse e shkollës shqipe në Zvicër.

© 2020 ALBINFO.CH/ALBAN HAMZA

Përmes rrjetit të saj organizativ në Këshilla Kantonale, Rajonale e Komunale, Lidhja e zhvillon veprimtarinë e vet në tërë Zvicrën.

Këshillat Kantonale, Rajonale dhe Komunale e përfaqësojnë Lidhjen para prindërve shqiptarë, organeve zvicerane dhe kryejnë veprimtari edukativo-arsimore e kulturore në koordinim me Kryesinë Qendrore të Lidhjes.

© 2020 ALBINFO.CH/ALBAN HAMZA
© 2020 ALBINFO.CH/ALBAN HAMZA