Lajme

Ylfete Fanaj nis mandatin e kryeparlamentares me moton “Bukë, kripë e zemër”

Kryetarja e parlamentit, Fanaj, në lidhje me vlerat e mikpritjes të përmendura si moto e nisjes së mandatit të saj ka thënë se "kripa siguron biseda të mira ndërsa zemra qesh kur ke një shtëpi plot me njerëz..."

Kryetarja e re e Parlamentit të Kantonit të Lucernit, Ylfete Fanaj (PS) ka hapur mandatin e saj me moton “Bukë, Kripë dhe Zemër”. Kjo moto lidhet me traditat shqiptare që ajo sjell me vete nga Kosova, në Zvicër.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=6285&v=5ykvN3z9l1w&feature=emb_logo

Ajo e sheh rolin e saj si një nikoqire, ka thënë Fanaj në fjalimin e saj përurues të kësaj seance.

Duke pasur këtë në mendje, ajo dëshiron t’u japë nga një zë të gjithë të ftuave, shqetësimet e të cilëve përndryshe dëgjohen rrallë, shkruan Luzerner Zeitung.

Hyrjen në këtë seancë parlamentare të martën e ka bërë me fjalimin e saj Ursulina Hermann. Ajo ka qenë në gjendje të kryente shkollimin për komercialiste pavarësisht paaftësisë që e kishte që nga lindja, transmeton albinfo.ch. Ajo ka folur për shqetësimet e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe fjalimi i saj është përkthyer nga një përkthyes i gjuhës së shenjave.

Kryetarja e parlamentit, Fanaj në lidhje me vlerat e mikpritjes të përmendura si moto e nisjes së mandatit të saj ka thënë se “kripa siguron biseda të mira ndërsa zemra qesh kur ke një shtëpi plot me njerëz.

Pastaj, pjekja e bukës është si të bësh një aktivitet politik: duhet ta gatuash brumin mirë. Të marrësh përbërësit dhe sasitë e duhura. Nëse simitet nuk dalin ashtu siç i keni parashikuar, duhet të bëni një fillim të ri”, ka folur me simbole, kryeparlamentarja e re me rrënjë shqiptare nga Kosova.

Politikanja 38-vjeçare e PS  jeton në Zvicër që nga viti 1991 dhe është anëtare e Parlamentit Kantonal që nga viti 2011. Nga viti 2015 në 2019 ajo ka drejtuar grupin parlamentar të PS në Këshillin Kantonal, përcjell albinfo.ch. Në qershor ajo është zgjedhur kryetare e  Parlamentit Kantonal dhe kështu, ajo zyrtarisht është “gruaja më e lartë e Lucernit” për mandatin 2020/2021.

albinfo.ch ka ndjekur aktivitetin politik të Fanajt që nga viti 2010 ndërsa ka transmetuar drejtpërdrejtë edhe zgjedhjen e saj në postine kryeparlamenatres më 23 qershor 2020. Edhe në solemnitetin e organizuar me atë rast, ajo kishte ndërthurur elemente simbolike shqiptare, duke sjellë, veç tjerash këngën “Moj e bukura More”, të kënduar nga një këngëtare zvicerane. Po ashtu, asaj me atë rast i ishte dhuruar një pikturë e artistit shqiptar që jeton në Zvicër, Samedin Asllani.