Kosova

Nuk përjashtohet mundësia që Trump të jetë në takimin e 4 shtatorit

Është bërë e ditur se takimi midis Kosovës dhe Serbisë do të mbahen në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të enjten dhe të premten.

Duhet theksuar se lidhur me këto takime ka folur edhe një këshilltar i posaçëm i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ai në një konferencë të organizuar virtuale nuk e ka përjashtuar mundësinë që vetë presidenti i SHBA-së, Trump, të jetë prezent edhe fizikisht në takimin midis dy palëve.

“Sa i përket nëse presidenti do të marrë pjesë ose jo fizikisht në këto takime, unë mendoj se kjo ende nuk është përcaktuar. Ai tashmë ka marrë pjesë në aspektin e organizimit dhe në çështjet të cilat u japim përparësi këtyre projekteve ekonomike”, tha ai, përcjell lajmi.net.

Gjithashtu, ai shprehet se palët duhet të jenë në gjendje të përparojnë në mënyrë që SHBA-ja të vazhdojë angazhimin e saj.

Sipas tij, Trump është i përqendruar në zhvillimin ekonomik.

“Në fund të ditës, mendoj se palët duhet të jenë në gjendje të bëjnë përparim në mënyrë që SHBA-ja të vazhdojnë të përdorin këto mekanizma në mënyrë kaq të fuqishme. Dua të them, fakti që ai (Trump) më ka kërkuar ta bëj këtë nga jashtë është vërtet dëshmi e faktit që ne besojmë se një përqëndrim në anën e zhvillimit ekonomik do të prodhonte përparim, por ne ende kemi nevojë për të provuar këtë teori”, tha ai.

I njëjti gjithashtu është shprehur se nuk ka asnjë plan sekret për ndonjë marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. /Albinfo.ch