Futboll

Bekim Balaj shënon tre gola në Kupën e Austrisë

Sulmuesi shqiptar Bekim Balaj e ka nisur me këmbën e mbarë sezonin e ri në Austri

Skuadra ku luan 29-vjeçari, Sturm Graz, luajti gjatë ditës së premte sfidën e vlefshme për fazën e 1/32-ave të Kupës së Austrisë, përballë skuadrës të SV Innsbruck dhe arriti të kualifikohet më tej, falë fitores së thellë 8-0.

Bekim Balaj qëndroi në fushë gjatë gjithë ndeshjes dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë plot 3 herë, duke shënuar golin e hapjes pas vetëm katër minutash lojë, golin e katërt po në pjesën e parë dhe golin e fundit në minutën e 86’ të takimit.

Kjo është nisja më perfekte e sezonit për sulmuesin shkodran, i cili është pjesë e Sturm Grazit që prej verës së kaluar dhe me fanellën e klubit austriak numëron deri më tash 18 ndeshje dhe 8 gola të shënuar.

Bekim Balaj është ftuar nga trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja, për ndeshjet e Ligës së Kombëve që Shqipëria do t’i zhvillojë gjatë ditëve të ardhshme kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë.