Lajme

Kompanitë që fituan nga Covid-19, të paguajnë më shumë taksa

Kompanitë që shënuan fitimet e tyre më të mira gjatë krizës së koronavirusit duhet t’u nënshtrohen taksave shtesë, thotë një nga ekonomistët më të mirë të Zvicrës.

Jan-Egbert Sturm, drejtor i Institutit Ekonomik Zviceran KOF, bëri këtë sugjerim në një intervistë për gazetën e së dielës, SonntagsBlick.

Sturm theksoi se biznese të caktuara kanë përfituar shumë mirë falë pandemisë – dyqane online, kompani farmaceutike që fitojnë më shumë se kurrë më parë.

“Ne mund ta konsiderojmë taksimin e fituesve nga kjo krizë dhe përdorimin e atyre parave për të mbështetur ata që kanë pësuar nga kriza”, tha Sturm, duke theksuar se shansi për të përfituar gjatë pandemisë ka qenë çështje fati.

Në të kundërt, Sturm vuri në dukje se planifikuesit e ngjarjeve, si dhe kompanitë e udhëtimit e hotelet u futën në vështirësi financiare pa ndonjë faj të tyre. “Prandaj një rishpërndarje do të ishte e justifikuar, për mendimin tim”, tha ai, shkruan swissinfo.ch, përcjell albinfo.ch.