Kosova

Kosovë: Qeveria ndan 95.2 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike

Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve financiare për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 44,700,152.00 €.

Sipas njoftimit të Qeverisë, mjetet e ndara kanë për qëllim të rimbursimit të shpenzimeve nga ekzekutimi i masave: Nr. 1.1, Nr. 1.2, Nr. 1.3, Nr. 1.4, Nr. 1.7, Nr. 1.8, Nr. 1.14 dhe Nr. 1.15, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 30 mars 2020 për aprovimin e Pakos Emergjente Fiskale.

Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar propozimin e Ministrisë se Financave për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 50,500,000.00 € me qëllim të vazhdimit të ekzekutimit të masave: Nr. 1.3, Nr. 1.7, Nr. 1.8, Nr. 1.14 dhe Nr. 1.15, sipas Vendimit Nr. 01/19 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Vendimet për ndarje të mjeteve me qëllim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga masat për rimëkëmbjen ekonomike të shkaktuar nga pasojat e pandemisë COVID-19 u morën në mbledhjen e sotme elektronike, të 21-ën me radhë, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti.