Kosova

Sa të shëruar, infektime dhe vdekje ka deri tani Kosova

Është bërë e ditur se numri total i rasteve pozitive me koronavirus është 9.492 raste nga 38.803 persona të dyshimtë me virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 284 raste të vdekjes, që kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

IKSHPK njoftoi se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 5.346 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.862.

Derisa bartja e maskave mbetet obligative, IKSHKP thekson se zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

Ky institut apeloi te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

“Inspektoratet sanitare të AUV dhe inspektoratet komunale, bashkë me shtabet komunale patjetër duhet të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të moszbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar”, thuhet më tej.

Sipas IKSHPK-së, çdo shkelje e rregullave nga kushdo, do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.