Tematike

Fundjava në Zvicër vjen me 38 gradë: Qeveria paralajmëron për vapën

Por, ky paralajmërim aktualisht nuk vlen për Zvicrën gjermanishtfolëse sepse ajri në këtë pjesë është shumë i thatë të enjten, siç ka njoftuar Meteo-Swiss të mërkurën

Qeveria federale paralajmëron për një valë vape në Zvicër, me temperatura maksimale deri në 38 gradë. Deri në mbrëmjen e së shtunës nga këto temperatura do të preken: pjesa jugore e Alpeve, Valisi qendror dhe rajoni i Gjenevës, thuhet në një komun ikatë të lëshuar nga Këshilli Federal.

Për disa njerëz, nxehtësia mund të përbëjë një rrezik për shëndetin, paralajmërohet më tutje nga qeveria.

Por, ky paralajmërim aktualisht nuk vlen për Zvicrën gjermanishtfolëse sepse ajri në këtë pjesë është shumë i thatë të enjten, siç ka njoftuar Meteo-Swiss të mërkurën, shkruan albinfo.ch. Sidoqoftë, as në këtë pjesë të madhe të Zvicrës nuk preferohen ushtrimet jashtë dhe rekomandohet konsumimi i sasisë së mjaftueshme të lëngjeve.

Duke qenë kohë pushimesh, shumë njerëz janë në rajonet e njohura turistike si në Ticino, Valis ose në Liqenin e Gjenevës. Këto rajone janë më të “prekurat” nga vapa këto ditë. Sidomos në festën kombëtare të shtunën, një numër i konsiderueshëm njerëzish pritet të qëndrojnë jashtë, në natyrë.

Meteo-Swiss vazhdon të paralajmërojë se temperaturat e larta mund të ndikojnë në shëndet dhe të dëmtojnë performancën fizike dhe mendore të të gjithëve, përcjell albinfo.ch. Prandaj, grupi i rrezikut, që përfshin kryesisht njerëz të moshuar, (dhe të sëmurë kronikë), gra shtatzëna dhe fëmijë të vegjël, duhet të ketë më shumë kujdes. Ata kanë nevojë për vëmendje të veçantë dhe, nëse është e nevojshme, përkujdesje nga të tjerët.