Maqedonia

Gjermania jep 152 mijë euro donacion për spitalet në Maqedoni

Ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Gisela Holstein, ka nënshkruar marrëveshje për donacion për disa institucione shëndetësore (Spitalin Klinik në Shtip, Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë, Spitalin e Përgjithshëm në Prilep dhe Shtëpinë Shëndetësore në Gostivar).

Nga Ambasada Gjermane në Shkup thonë se vlera e përgjithshme e donacioneve është 152 mijë euro, e cila jepet me qëllim të mbështetjes së Maqedonisë së Veriut për përballje më mirë me pandeminë COVID-19, shkruajnë mediat atje, përcjell albinfo.ch.

Nga ambasada thonë se institucionet shëndetësore vendore do t’i shfrytëzojnë mjetet e dhuruara për furnizimin e pajisjeve mjekësore dhe makinave për ndihmën e shpejtë.

“Mbështetja financiare nga projektet e vogla nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë ka për qëllim avancimin e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit nikoqir”, thonë nga ambasada.