Lajme

Kujtohet Adem Demaçi në dyvjetorin e vdekjes

Në dyvjetorin e vdekjes së veprimtarit Adem Demaqi, kanë shkruar liderët politikë të vendit.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe pranë varrit të tij, ku ka thënë se vlera e rezistencës së Adem Demaçit është vlera e bashkimit të kombit.

Kreu i shtetit, duke kujtuar kontributin e përhershëm të Demaçit, vlerësoi atë si njeri i të sotmes, i simbolit të së kaluarës dhe i energjive për të ardhmen.

“Sot nderojmë me rastin e dyvjetorit të vdekjes, simbolin e rezistencës kombëtare, për liri për pavarësi të Kosovës dhe Bashkim Kombëtare, Adem Demaçi. Njeriun që sakrifikoi gjithçka për të jetuar ne sot, të lirë, të pavarur, sovranë, në rrugëtim të sigurt për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, prandaj vlera e rezistencës së Adem Demaçit është vlera e bashkimit të kombit, vlera që i ka dhënë fuqi lirisë tonë, luftës për çlirimin e vendit, do të mbetët gjithmonë në kujtesën e kombit, si njeriu i lirisë dhe pavarësisë së Kosovë. Adem Demaçi është njeri i të sotmes, i simbolit të së kaluarës dhe i energjive për të ardhmen”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Avdulla Hoti, ka thënë se sakrifica e Demaçit është dëshmia më e mirë e rrugëtimit tonë për liri e pavarësi.

“Sakrifica e tij është dëshmia më e mirë e rrugëtimit tonë për liri e pavarësi. Si udhëheqës i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”.Gjatë periudhës 1998-1999, ishte përfaqësues politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, gjatë periudhës 2005-2007. Zoti e bekoftë Adem Demaçin dhe veprën e tij! U prehtë në paqe!”, ka shkruar Hoti.

Demaçin e përkujtoi edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ai thotë se Demaçi ishte simbol i sakrificës dhe rezistencës për liri.

“Adem Demaçi ishte veprimtar i pathyeshëm i çështjes kombëtare. Me vullnet të pashembullt, sakrifikoi pjesën më të madhe të jetës së tij nëpër burgjet e regjimit okupator, në shërbim të kauzës kombëtare për liri. Ai mbetet sinonim i flijimit dhe sakrificës për atdhe, duke u dergjur burgjeve serbe gati 3 dekada, prandaj është model i njeriut të pathyeshëm për kauzën e lirisë. Me veprimtarinë e tij, u bë simbol i sakrificës dhe rezistencës për liri, duke motivuar breza të tërë që të mos heqin dorë nga lufta e drejtë për liri dhe pavarësi. Kontributi dhe sakrifica e tij, në kohërat më të vështira për shtetin tonë, ishin frymëzim për të punuar në arritjen e synimeve tona për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. I përjetshëm kujtimi për simbolin e rezistencës kosovare, Adem Demaçi!”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Demaçi kurrë nuk u step prej frikës dhe kurrë nuk u ligështua prej trysnisë.

“Adem Demaçi i përjetoi tri jugosllavitë dhe hyri tre herë në burg. 28 vjet gjithsej i kaloi si i burgosur politik. Kur e liruan në prill 1990, tha se po del nga burgu i vogël në burgun e madh. Vazhdoi veprimtarinë politike pa pushim e kursim për veten. Kurrë nuk u step prej frikës, kurrë nuk u mposht prej dhimbjes, kurrë nuk u ligështua prej trysnisë. Me thjeshtësi e qartësi të madhe intelektuale, me lakonizmin karakteristik, ai gjithnjë thoshte të vërteta therëse. Kjo cilësi iu njoh e iu vlerësua edhe nga Parlamenti Evropian, që i akordoi Adem Demaçit çmimin prestigjioz ‘Saharov’ për lirinë e të menduarit”, ka shkruar Kurti.

Homazhe pran varrit të Demaçit ka bërë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se rruga jetësore e tij është rruga e lirisë së Kosovës.

“Dy vjet pa Bacen Adem! Vizionar e frymëzues. Luftëtar që zjarrin e lirisë, të trashëguar nga rilindasit, e përcjelli tek ne, brezi i UÇK-së. Rruga e tij jetësore, është vet rruga e lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se ai ishte emblema e qëndresës shqiptare dhe Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

“Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor. Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës. Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë, ‘Mandela i Evropës’ dhe ‘Saharovi’ ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që i’a dole të përballosh e t’i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare, Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj. Mirënjohje të thellë për gjithçka na le trashëgimi dhe amanet Baca Adem. Përqafime të ngrohta e vëllazërore për familjen shumë të dashur Demaçi”, ka shkruar Meta.

I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 84 vjet. Për angazhimin e tij politik, Demaçi vuajti 28 vite me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik të vitit 2018 ndërroi jetë. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.