Kosova

Ambasada e Kosovës në Itali ka një njoftim për bashkatdhetarët

Ambasada e Kosovës në Itali ka njoftuar të gjithë ata që kanë qëndruar apo vizituar Kosovën, Malin e Zi apo Serbinë në këto 14 ditët e fundit, u ndalohet hyrja dhe tranziti në gjithë territorin italian, përcjell albinfo.ch.

Por, ka disa përjashtime, ky është njoftimi i plotë:

Njoftim
Të nderuar bashkatdhetarë,
Në vijim të masave të reja shtrënguese për parandalimin dhe përmbajtjen e përhapjes e Coronavirus Covid-19 të adoptuara nga Qeveria e Republikës së Italisë, listës së vendeve me rrezik, dje më 16 korrik 2020, i është shtuar edhe Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.
Si rrjedhojë, të gjithë personat që kanë qëndruar/vizituar këto shtete gjatë 14 ditëve të funditu ndalohet hyrja dhe tranziti në gjithë territorin italian.

Përjashtimet e vetme që parashikohen nga këto protokolle të reja sigurie për hyrjen dhe qarkullimin tranzit në shtetin e Italisë u drejtohen vetëm:
• Qytetarëve evropianë (BE, Schengen, Britania e Madhe, Andorra, Principata e Monakos, Vatikan), si dhe familjarëve të tyre bashkëjetues me vendbanim të regjistruar në Itali (apo në njërin nga shtetet e lartpërmendura) para datës 9 korrik 2020, ku gjithsesi mbetet obligim nga ana e secilit udhëtar që të respektojë dhe të zbatojë vetizolimin 14-ditor;
• Zyrtarëve dhe atasheve të BE-së ose organizatave ndërkombëtare, agjentëve diplomatikë, stafit administrativ dhe teknik të misioneve diplomatike;
• Ekuipazheve dhe personelit të mjeteve të transportit që kanë qëndruar ose kanë kaluar tranzit në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të cilët kanë detyrim kufizimin e qëndrimit në territorin italian për vetëm 36 orë: në rast të kalimit përmes Italisë me destinacione të tjera, dhe 120 orë qëndrim për procedurat e ngarkimit dhe shkarkimit të mallrave që transportohen në Itali.
Deri në një moment të dytë, sipas autoriteteve përgjegjëse të Republikës italiane, këto masa dhe përjashtime të lartshënuara do të qëndrojnë të vlefshme dhe në fuqi deri më 31 korrik 2020.