Tematike

Kosovari me virus është kthyer nga pushimet para vendimit për karantinën

Punonjësi është kthyer nga pushimet më 29 qershor". Ndërsa, siç dihet,  rregullorja e karantinës për kthimin nga vendet e rrezikut në atë kohë nuk ishte akoma në fuqi

Pasi ka kaluar pushimet në Kosovë, një punonjës i firmës së madhe ër përpunimin e mishit “Lüthi & Portmann” në Deisswil të Kantonit të Bernës është kthyer direkt në vendin e tij të punës. Sigurisht, pa ju nënshtruar karantinës. Tani ai është në spital, i infektuar me Corona dhe në gjendje jo të mirë, shkruan blick.ch.

Ndërkohë, edhe 6 nga kolegët e tij të punës kanë treguar gjithashtu simptoma.

Sipas kryemenaxherit të kompanisë, Paul Lüthi, rasti i kosovarit është i pari i testuar pozitiv nga 400 të punësuar sa i ka kompania, transmeton albinfo.ch. Ai thotë se i sëmuri është përgjegjës për komisionimin e artikujve: “Ai përgatit produktet e paketuara të mishit për klientët”. Prandaj, sipas tij, në asnjë moment nuk ka ekzistuar ndonjë rrezik për konsumatorët.

Lüthi hedh vendosmërisht poshtë pretendimet se fabrika e mishit kishte shpërfillur urdhrin federal të karantinës. Për ta vërtetuar këtë, ai merr të dhënat e sakta nga zyra e personelit, përcjell albinfo.ch. “Punonjësi është kthyer nga pushimet më 29 qershor”. Ndërsa, siç dihet,  rregullorja e karantinës për kthimin nga vendet e rrezikut në atë kohë nuk ishte akoma në fuqi. “BAG ka shpallur këtë vendim më 2 korrik, ndërsa vendimi u bë aktiv vetëm më 6 korrik” sqaron shefi. Prandaj, thotë ai, “ne nuk bëmë asgjë të gabuar”.

Problemi te infeksioni me Covid-19 është se personat e infektuar nuk tregojnë menjëherë simptomat e sëmundjes. Kështu, sëmundja ka shpërthyer vetëm rreth një javë pas kthimit të kosovarit.

Lüthi pranon se “ka pasur punonjës individualë që gjithashtu ishin ankuar për simptoma pas rastit”. Mirëpo, të gjitha testet kanë rezultuar negative.