Kosova

Në Prishtinë mbi 1 mijë raste aktive me Covid-19

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë se rritja e rasteve me Covid-19 në Prishtinë mbetet shqetësuese.

Gashi theksoi se aktualisht në kryeqyetet janë 1 mijë e 192 raste aktive, ndërsa kanë përfunduar me fatalitet 21 qytetarë.

“Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 1629 raste me #covid19 prej të cilave 1192 raste janë ende aktive. Kemi 416 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 21 raste që kanë përfunduar me fatalitet”.

I pari i Shëndetësisë në Prishtinë shtoi se mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë, përcjellë albinfo.ch

Ai ka porositur qytetarët që të ndjekin të gjitha udhëzimet nga ana e institucioneve.