Kosova

Lufta mes jetës dhe vdekjes, pamje brenda Klinikës Infektive në Prishtinë (Video)

Kosova po shënon ditëtëe fundit rritjen më të madhe të numrit të të vdekurve dhe të infektuarve nga koronavirusi.  Infektimet janë me statistika të mëdha në raport me testet e pakta, përcjell albinfo.ch.

Ekipi i REL-it ka qëndruar një ditë brenda Klinikës Infektive, nga ku çdo mbrëmje raportohet për të vdekur e disa qindra të infektuar me COVID -19.

Frymëmarrja e vështirësuar e pacientëve dhe zhurma e pajisjeve që i ndihmojnë ata për të marrë frymë, janë të vetmet gjëra që dëgjohen.

Në secilën dhomë të Klinikës Infektive në Prishtinë mjekët po bëjnë maksimumin që të shpëtojnë sa më shumë jetë, në kohën kur numri i të vdekurve po rritet për ditë.

Nuk dëgjohet asgjë tjetër pos frymëmarrjes së vështirësuar të pacientëve me COVID-19 dhe zhurma e pajisjeve që i ndihmojnë ata për të marrë frymë.

Edhe nëse ndonjë pacient shërohet, të tjerë zënë vendin e tyre po të njëjtën ditë, sidomos pacientët që vijnë nga spitalet e qyteteve të tjera.

69-vjecari Haki Ratkoceri ka dy javë që është shtrirë në spital, bashkë me gruan e tij, pasi rezultuan pozitivë me COVID-19.

“Unë në mëngjes isha në shtëpi duke fjetur. Kur u zgjova, më kapi fyti. Kam qenë shumë në rrezik. Nuk e di unë, ndoshta organizimi i secilit dallon, sic po dëgjoj, jo e preku këtu, jo këtu. Mua më kapi në fyt, ma bëri varrë, nuk mundja as ujë të pija”, tregon ai.

Retkoceri dhe gruaja e tij tashmë janë shëruar dhe preisn që të shkojnë në shtëpi, por në dhomat e tjera të klinikës, pacientë të tjerë po luftojnë me sëmundjen.

Infektologu Murat Mehmeti tregon se në Repartin A të Klinikës Infektive ku ai punon, nuk ka vend për pacientë të tjerë.

“Asnjëherë nuk po zbret numri i pacientëve nën 100 dhe po flas tash për këtë repartin ku unë jam këtu, gjithmonë është reparti i mbushur me pacientë. Edhe nëse lëshohet një pacient, menjëherë vjen tjetri”, thotë Mehmeti.

Përvec pacientëve, edhe mbi 350 punëtorë shëndetësorë janë të prekur me koronavirus.

Nga gjysma e muajit mars kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me koronavirus, janë regjistruar më shumë se 4 mijë raste. Prej tyre, rreth 100 kanë vdekur dhe më së dy mijë janë shëruar.