Lajme

10 milionë dollarë në studimin mbi efektet afatgjata të COVID-19

Britania po vendos 8.4 milionë paund (10.49 milionë dollarë) në një studim të ri për të ekzaminuar efektet afatgjata të COVID-19 te pacientët, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë.

COVID-19 është vërejtur të shkaktojë shumë ndikime shëndetësore për disa pacientë përtej çështjeve të menjëhershme të frymëmarrjes, por me njerëzit e tjerë të infektuar asimptomatikë, funksionimi i virusit nuk kuptohet plotësisht.

“Ndërsa vazhdojmë luftën tonë kundër kësaj pandemie globale, ne po mësojmë gjithnjë e më shumë për ndikimin që sëmundja mund të ketë, jo vetëm në shëndetin aktual, por edhe në shëndetin afatgjatë fizik dhe mendor”, tha ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Departamenti i Shëndetësisë tha se 10,000 njerëz do të merrnin pjesë në studimin, studim ky që po drejtohet nga Universiteti i Leicester dhe spitalet në qytet, shkruan “Reuters”, përcjell albinfo.ch.