Futboll

Berisha kthehet te Lazio

Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha do të rikthehet te Lazio pas gjashtë muajve te ekipi gjerman Fortuna Duesseldorf.

Por, Berisha nuk do të mbetet pjesë e Lazios për edicionin e ri për shkak se pritet të përfshihet në ofertën për qendërmbrojtësin e Veronas, Marash Kumbulla.

Lajmi është bërë i ditur të hënën nga mediumet italiane. Berisha ka kontratë me Lazion deri në vitin 2023, por në fillim të këtij viti u huazua për gjashtë muaj te Fortuna Duesseldorfi, ekip që kishte të drejtën e blerjes së kartonit të tij, nëse do të siguronte mbetjen në Bundesligë edhe për sezonin 2020/21. Por, Fortuna edicionin tjetër do të bëjë gara në Bundesligën 2 dhe për këtë arsye Berisha do të rikthehet te Lazio që po insiston në transferimin e Kumbullës, i cili ka shkëlqyer këtë edicion me paraqitjet e tij, shkruan koha.net, përcjell albinfo.ch

Për ta lënë të lirë 19-vjeçarin, Verona po kërkon 30 milionë euro dëmshpërblim dhe Lazio do ta përdor kartonin e Berishës për të shpenzuar më pak para në transferimin e Kumbullës. Te Lazio po synojnë që krahas Berishës të ofrojnë edhe rreth 20 milionë euro për të bindur Veronan që ta lë të lirë Kumbullën, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2022.