Kosova

Aeroporti i Prishtinës ka një njoftim të ri

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, sot është takuar me kreun e Agjencisë së Aviacionit Civil të Kosovës, Bujar Ejupin dhe përfaqësuesit e aeroportit “Adem Jashari”, me të cilët ka diskutuar për masat e marra nga këto institucione para fillimit të fluturimeve më 28 qershor.

Abrashi në një njoftim në profilin e tij ka thënë se në takim është siguruar nëse janë marrë të gjitha masat siç rekomandon manuali anti-covid i Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sot prita në takim të përbashkët drejtorin e AACK, Bujar Ejupi, si dhe përfaqësues të ANP “Adem Jashari”, Gökmen Aritay dhe Uran Vela. Diskutuam për rifillimin e fluturimeve ajrore duke u siguruar se janë ndërmarrë të gjitha masat sipas Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19 të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë”, ka shkruar Abrashi.

Ai ka përmendur edhe kushtet e reja që do të praktikohen që nga dita e nesërme.

“Nga nesër fillojnë fluturimet ajrore, me disa masa shtesë si:

1. Pasagjeret duhet të jenë në Aeroport 3 orë para fluturimit,

2. Matja e temperaturës do të bëhet për të gjithë pasagjerët që hyjnë në terminal,

3. Përdorimi i kabinetit për dezinfektim në hyrje të terminalit.

4. Masa shtesë të Policisë, Doganës, MSH-së”, shkruan Abrashi.

Gjithashtu ai ka thënë se me përfaqësuesit e aeroportit ka diskutuar edhe për investimet në transportin ajror, hapjen e linjave të reja, programet nxitëse, liberalizimin e tregun për ofruesit e shërbimeve në aeroport etj.

“Do të angazhohemi të kemi më shumë linja ajrore dhe me çmime më të ulëta. Shihemi nesër në aeroport”, ka përfunduar Abrashi.