Integrimi
Ylfete Fanaj shkruan historinë e komunitetit shqiptar në Zvicër
Fakti që po zgjidhej një grua me gjuhë amtare jo zvicerane dhe me vend të lindjes jashtë Zvicrës, e bënte këtë sesion më të veçantë dhe i jepte mbledhjes një peshë të caktuar historike. Dhe, jo vetëm për komunitetin shqiptar të Zvicrës
Sot, në njërën nga sallat e mëdha të Qendrës së panaireve, në Lucern, është mbajtur seanca zgjedhore dhe solemne e Parlamentit të Kantonit të Lucernit. Masat kundër koronavirusit, kanë bërë që kjo sallë të improvizohej në parlament.
Në rendin e ditës të sesionit të sotëm ishte votimi i iniciativës së partisë së gjelbër për të drejtën e votës së të rinjve 16 dhe 17 vjeçarë në kanton, shkruan albinfo.ch. Ndonëse me 55 vota pro dhe 60 kundër, në bazë të një rregulloreje të këtij parlamenti, iniciativa kaloi një hap më tutje: ajo do të merret në përpunim nga komisioni përkatës, ai i politikave shtetërore. Dhe, siç e thonë njohësit e punës, i ka shanset e mira për t`u jetësuar.
Por, pika më e rëndësishme e rendit të ditës të sesionit të sotëm ishte zgjedhja e kryetares së parlamentit, Ylfete Fanajt. Fakti që po zgjidhej një grua me gjuhë amtare jo zvicerane dhe me vend të lindjes jashtë Zvicrës, e bënte këtë sesion më të veçantë dhe i jepte mbledhjes një peshë të caktuar historike. Dhe, jo vetëm për komunitetin shqiptar të Zvicrës.
Ylfete Fanaj ishte që nga qershori i vitit të kaluar, nënkryetare e parlamentit Kantonal ndërsa prej disa vitesh ka qenë në krye të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në kanton, shkruan albinfo.ch. Nisur edhe nga autoriteti që ajo ka ndërtuar me angazhimin e saj rreth 15 vjeçar në nivele të ndryshme politike, zgjedhja e saj përbënte një hap të natyrshëm.
Ajo sot u zgjodh me 91 vota pro, ndërsa do të mjaftonin edhe vetëm 59 sosh për të zënë vendin e “lucernases më të lartë”, siç e identifikojnë këtu postin e kryetarit/res të parlamentit.
“Sot ka ndodhur diçka e paimagjinueshme: falë votimit tuaj unë jam lucernasja numër 1. Me këtë votim keni bërë të mundur që 50 vjet pas hyrjes në fuqi të të drejtës së votës për gratë, të zgjidhet një grua, me prejardhje të huaj në postin më të lartë politik të kantonit. Këtë e bën të mundur Zvicra”, ka thënë veç tjerash Fanaj, djuke ju drejtuar kolegëve të saj deputetë.
Ajo ka përshëndetur dhe falënderuar edhe prindërit e saj për mbështetjen që i kanë ofruar në ngritjen e saj arsimore dhe politike, shkruan albinfo.ch. Ajo ka nënvizuar se me angazhimin e saj po realizon një gjë që prindërve të saj u ishte ndaluar ta realizonin në vendin e prejardhjes.
Kryetari i deritashëm i parlamentit, Josef Wyss, ai i qeverisë kantonale, Paul Winiker dhe folës të tjerë kanë nënvizuar në fjalimet e tyre peshën që merr kjo mbledhje me faktin se po zgjidhet një grua dhe për më tepër një “Seconda”, (pjesëtare e brezit të dytë të të huajve). Fakti se me këtë rast bëhet fjalë për një shqiptare të Kosovës, e bën edhe më të veçantë zgjedhjen e bërë sot.
Fanaj: Zvicra na ofron shumë por dhe ne duhet të marrim iniciativë
Zgjedhja e gruas që ka “dy atdhe” – Kosovën dhe Zvicrën, është një tregues për shanset që jep Zvicra për të huajt e integruar dhe për angazhimin e performancën shembullore që ka treguar zonja Fanaj për të merituar këtë post, kanë theksuar ata.
“Sigurisht jam gëzuar shumë, sepse është kjo një ëndërr e bërë realitet. Me këtë arritje ndoshta mund t`u tregoj të tjerëve se është e mundur një gjë e tillë. Zvicra vërtet ofron por edhe ne duhet të bëjmë një hap për të shfrytëzuar mundësitë që na ofrohen”, ka thënë Ylfete Fanaj për albinfo.ch.
Ajo po ashtu është shprehur edhe për “elementet shqiptare” në solemnitetin e zgjedhjes së saj. Bëhet fjalë për këngën arbëreshe “Moj e bukura More” që u interpretua nga një këngëtare zvicerane dhe për pikturën e artistit shqiptar nga Lozana, Samedin Asllani, e cila iu dhurua me këtë rast.
“Zgjedhja ime është bërë duke njohur biografinë dhe prejardhjen time prandaj kjo flet për për vlerat demokratike të Zvicrës. Dhe këto elemente shqiptare tregojnë lidhjen time me të dy vendet: Zvicrën dhe Kosovën si dhe respektimin që Zvicra i bën kësaj lidhjeje”, ka thënë Ylfetja për albinfo.ch.
Wyss: I lumtur që është zgjedhur një përfaqësuese e shoqërisë sonë me prejardhje migracioni
“Së pari gëzohem shumë që Ylfete Fanaj si njeri është zgjedhur kryetare e Parlamentit Kantonal. Unë gjatë vitit të fundit e kam pasur në krah si nënkryetare, derisa isha duke e drejtuar këtë parlamenet. Gjatë kësaj kohe e kam njohur dhe vlerësuar lart si bashkëpunëtore të përkushtuar”. Kështu ka thënë në një prononcim për albinfo.ch. Josef Wyss, kryetar i deritashëm i parlamentit.
“Pastaj jam i gëzuar që ajo është zgjedhur edhe si përfaqësuese e një pjese të shoqërisë sonë, asaj me prejardhje migracioni. Kjo tregon për shkallën e integrimit të arritur nga ajo, një shkallë që ka mundësuar zgjedhjen në nivelet më të larta politike në vend. Unë po ashtu jam krenar që bashkëpunëtorja ime është zgjedhur në këtë post dhe jam i bindur se ajo do të punojë me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe do të përfaqësojë gjithë popullin e kantonit”. I pyetur nga albinfo.ch nëse Fanaj ishte kryetarja e parë me prejardhje të huaj, Wyss ka thënë: “Para Ylfete Fanajt mund të ketë pasur në Zvicër ndonjë kryetar me prejardhje italiane, por Fanaj është e para kryetare me prejardhje të huaj dhe jo italiane deri tani”.
Müller: “Vlerat zvicerane t`i prezantojë si model në Kosovë”
Albinfo.ch ka marrë edhe prononcimin e deputetit tjetër të këtij parlamenti, Pirmin Müller, nga SVP. “Zgjedhja e Ylfetes në postin e `Lucernases më të lartë` tregon se Zvicra është një vend i hapur dhe tolerant, se kosovarët këtu janë të mirëseardhur dhe se u ofrohen të gjitha shanset për një të ardhme të mirë. Ajo ka tani një detyrë të rëndësishme dhe të nderuar, që këto vlera t`i prezantojë si model për Kosovën. Ajo që unë po shoh, është: Kosovarët kanë gjetur veten në Zvicër dhe kanë bërë këtu shtëpinë e tyre”, ka thënë Müller i cili është bashkëshort i një kosovareje të rritur në Zvicër.
“Jemi shumë të lumtur. Nuk mund ta përshkruajmë këtë ndjenjë”, kanë thënë për albinfo.ch prindërit e Ylfete Fanajt. Babai i saj kishte ardhur në Zvicër si “gastarbajter” në vitet `80 të shekullit të kaluar ndërsa pjesën tjetër të familjes, përfshirë dhe Ylfeten 9 vjeçe, e kishte sjellë këtu në vitin 1991.
(Fotot: Armend Berisha)
Ylfete Fanaj “shkruan historinë” e komunitetit shqiptar në Zvicër (FOTO)
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha