Kosova

Fanaj: Prejardhja ime e huaj nuk është e vetmja gjë që mund të ofroj në politikë

"Nëse të tjerët identifikohen me mua, mendoj se kjo është gjë e bukur. Por, shton ajo “unë kam shumë më shumë për të ofruar sesa sfondin tim të migracionit (prejardhjen e huaj)"

Deputetja kantonale e PS, Ylfete Fanaj pritet të zgjidhet këtë të martë, në postin më të lartë politik të Kantonit të Lucernit, kryetare e Parlamentit Kantonal.

Gazeta “Luzerner Zeitung” i ka bërë një prezantim të gjerë politikanes  rrënjë shqiptare nga Kosova, duke e cilësuar atë si një grua të fuqishme dhe politikane që punën e saj e bën me pasion.

Si vajzë nëntë vjeçe, në vitin 1991 Ylfete Fanaj vjen në Zvicër. Në shkollën ku nis mësimet ajo është nxënësja e parë nga Ballkani, transmeton albinfo.ch. Në vitin 2007, tashmë si një e re 25 vjeçe, Ylfetja sërish është diku e para: kosovarja e parë në asamblenë e qytetit të Lucernit.

Ndërsa aktualisht, si grua 37 vjeçe, Ylfete Fanaj është caktuar për të qenë në krye të Parlamentit të Kantonit ku jeton. Dhe do të jetë migrantja e parë në këtë post, mbase jo vetëm në kantonin  e saj, shkruan albinfo.ch.

“Unë kam qenë e para për disa gjëra, por nuk do të doja të mbetesha e vetmja”, thotë ajo për gazetën.

“Në kantonin e Lucernit jetojnë njerëz nga 160 kombe. Parlamenti as përafërsisht nuk e pasqyron këtë realitet”, thotë më tutje. Prandaj Ylfetja i gëzohet faktit, të zgjedhjes, për shembull, të një gjykatësi me prejardhje turke, në Lucern, që pritet të bëhet në sesionin e ardhshëm parlamentar.

“Në vitin tim presidencial unë veçanërisht dua që, njerëzve të cilët janë larg nga politika, t`ua bëj më të afërt punën e parlamentit”, thotë veç tjerash, duke bërë fjalë për synimet e saj në postin e ri.

Pasi që masat kundër koronavirusit, pamundësojnë një ceremoni zgjedhore, përfshirë aperitivin, Fanaj ka vendosur të mbështetet në formatet digjitale, duke bërë transmetimin në faqen e saj të fb, përcjell albinfo.ch. Po kështu në fb të saj do të jepet drejtpërdrejt nga Kosova, koncerti i grupit “String”.

Si kryetare parlamenti, ajo nuk do të ketë mundësi të “politizojë” nga pozitat e partisë së saj, SP. Ndërkaq, edhe pse e njohur për politikëbërjen e saj me pasion, ajo gëzon respekt edhe ndër kolegët nga partitë tjera, madje edhe ato kundërshtare të socialdemokratëve. Gazeta u jep fjalën disave prej tyre.

Udhëheqësja e Grupit parlamentar të GLP, Claudia Huser thotë për Fanajn se “ajo angazhohet me pasion për synimet e saj por është  gjithashtu një person i shoqërueshëm dhe me shumë humor. Nga e majta në të djathtë ajo konsiderohet si politikane e përkushtuar dhe e sigurt, e provuar për dosjet që i trajton”.

Ndërsa deputeti kantonal nga CVP Ludwig Peyer thotë: “është gjithmonë e qëndrueshme dhe ka një ndjenjë të theksuar të drejtësisë”, transmeton albinfo.ch. Nga ana tjetër, deputeti i SVP Marcel Omlin bën këtë parashikim: “Në funksionin e saj të ri, ajo nganjëherë do të jetë e detyruar të lërë anash mendimin e saj personal”.

Duke qenë se “mullinjtë parlamentarë bluajnë ngadalë – dhe nga ana tjetër Partia Socialdemokrate nuk është parti qeverisëse në nivel kantoni, Fanaj dhe partia e saj e kanë të vështirë punën. Për këtë arsye ajo vë theksin në angazhimin qytetar. “Secili prej nesh mund të bëjë ndryshimin”, thotë Fanaj.

Në vitin 2013 Ylfetja ka qenë kryetare themeluese e shoqatës “Lisa”, e cila mbronte interesat e grave në prostitucion, të rrezikuara pas një vendimi për zhvendosjen e tyre në një zonë industriale. Aktualisht Fanaj kryeson shoqatën e ngritur me rastin e 50 vjetorit të fitimit të të drejtës së votës për gratë në Lucern dhe në gjithë Zvicrën.

“Kantoni nuk e sheh veten të detyruar të shënojë jubileun në tetor të këtij viti por unë si kryetare e parlamentit, ndjehem përgjegjëse për të qenë aktive në këtë drejtim.

Duke qenë e angazhuar edhe në mjaft projekte të integrimit, ajo di si t`i plasojë mesazhet e saj, shkruan gazeta, transmeton albinfo.ch. Fanaj, sipas “LZ” onsiderohet tashmë si “kosovare shembullore”. Dikur nuk dinte asnjë fjalë gjermanisht ndërsa tani është me studime të mbaruara të shkencave sociale dhe mban poste në projekte dhe shoqata të ndryshme, pëfcjell albinfo.ch.

E pyetur nëse është krenare për rolin e saj si shembull, ajo thotë: “Unë, thjesht e trajtoj atë që më duket e rëndësishme. Nëse të tjerët identifikohen me mua, mendoj se kjo është gjë e bukur. Por, shton ajo “unë kam shumë më shumë për të ofruar sesa sfondin tim të migracionit (prejardhjen e huaj).