Kosova

Lëvizja Vetëvendosje sot mban tubim në shesh

Është bërë e ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë sot tubim në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, përmes një videomesazhit u është drejtuar të gjithë qytetarëve të vendit, duke i ftuar në këtë tubim, për të cilin tha se i kanë dy arsye.

Ky tubim do të mbahet për 21-vjetorit të çlirimit të vendit dhe 15-vjetorin e themelimit të Lëvizjes që ai e drejton.

Në këtë adresim Kurti ka thënë se gjatë këtyre 15 vjetëve kanë bërë një opozitë të paparë ndonjëherë, ndërsa për 4 muaj kanë dëshmuar që e bëjnë qeverisjen mirë si askush tjetër.

Nuk ka lënë pa përmendur edhe zgjedhjet e reja.

Ky është mesazhi i tij:

“Në këtë përvjetor të dyfishtë ne ndodhem në situatën që kërkon durim dhe zgjidhje. Durim për ta tejkaluar pandeminë COVID-19 që nuk ka kaluar dhe zgjidhje, duke hyrë në zgjedhjet që po vijnë. Në këto 15 vjet kemi dëshmuar se e bëjmë opozitën fuqishëm si askush më parë. E sivjet kemi dëshmuar që e bëjmë qeverisjen mirë si askush tjetër. Ne po rritemi shumë, sepse në zgjedhje të tjera do të fitojmë mbi shumën e të tjerëve. Nuk ka Lëvizje pa popull, kurse në Kosovë populli është bërë lëvizje. Ejani nesër në këtë tubim paqësor, me muzikë e fjalime. Ejani masivisht në 15-vjetorin tonë, teksa kujtojmë edhe 21–vjetorin e çlirimit të vendit dhe çmimin e lartë që paguan breza të tërë që ne të jetojmë shumë më mirë se sot”, ka thënë Kurti në këtë video mesazh drejtuar të gjithë qytetarëve.