Kosova

Mbi 722 mijë euro janë ndihmat e ardhura nga diaspora në Kosovë

Ndihma e diasporës

Edhe gjatë kohës së pandemisë, ndihma që mërgimtarët e japin për shtetin e Kosovës ishte e pashmangshme.

Thuhet se mbi 722 mijë euro janë grumbulluar nga ndihmat e ardhura nga diaspora gjatë kësaj kohe. Këtë e ka konfirmuar përmes një përgjigjeje me shkrim drejtori i përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili.

“Totali i pranimeve në nënllogarinë e dedikuar të Thesarit deri tani është 722,164.66 euro, ndërsa gjendja e kësaj nënllogarie është 716,773.93 euro”, thuhet në përgjigje, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Duhet theksuar se ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që u ka bërë mërgimtarëve ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të këtij viti.

Një muaj pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, Kurti, përmes një video-mesazhi, ka kërkuar nga mërgimtarët që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar sëmundjen.

Më 22 maj Albin Kurti, derisa ishte kryeministër në detyrë i Kosovës, ka bërë të ditur se janë mbledhur 720 mijë euro nga mbështetja financiare e diasporës për luftimin e COVID-19, përcjell albinfo.ch.