Kosova

Kosova rihap aeroportin brenda dhjetë ditësh

Lajmin e ka konfirmuar Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, tha se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.

Ato janë ndërprerë qysh në muajin mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Abrashi tha për Radion Evropa e Lirë se ka zhvilluar takime me të gjitha institucionet, përfshirë këtu Autoritetin e Aviacionit Civil, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kompanitë ajrore dhe Ministrinë e Shëndetësisë, për rikthimin sa më të shpejtë të fluturimeve.

“Po bëjmë përpjekje që brenda dhjetë ditësh të bëhet rifillimi i plotë i fluturimeve ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], të lëshuara nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Abrashi.

Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars dhe menjëherë ka vendosur masa izolimi, përfshirë mbylljen e kufijve, të shkollave dhe të gastronomisë.

Lehtësimi i masave ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj.

Në Kosovë, gjithsej 1,263 raste janë konfirmuar me koronavirus.

Prej tyre, 912 pacientë janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur.